Vallë nuk ka Greqia njerëz të pasur?
Këtë pyetje shtron sot gazeta “Kathimerini” në një shënim që merr në shqyrtim deklaratat e tatimpaguesve ku sipas saj “vihen re disa gjëra të çuditshme”.
“Sipas letrave…vetëm 27 000 taksapagues deklarojnë një të ardhur individuale më shumë se 100 mijë euro në vit, ndërkohë që katër në çdo 10 persona duket se jetojnë me 5000 euro/vit”, shkruan gazeta greke.
Më tej akoma, gazeta vë në dukje se në Greqi deklarohen se kanë pasuri të paluajtshme personale me vlerë mbi 1 milionë euro, më pak se 15 mijë njerëz, kurse më pak se 70 mijë klientë bankash kanë depozita më të mëdha se 100 mijë euro.
Nga 300 000 subjekte që veprojnë në vend, vetëm 10 000 deklarojnë fitime më shumë se 150 000 euro në vit, ndërkohë që 235 000 subjekte kanë deklarojnë ose humbje, ose fitime poshtë pagës minimale të një punëtori që është 10 000 euro/vit.
Puna është shumë keq. Greqia me letra figuron të jetë për faqe të zezë, një vend që edhe bukën mezi e gjen. Këtu do vlente ajo teoria pellazgjike që me aq entuziasëm e shpallin disa.