“NATO dhe Bashkimi Evropian po punojnë ngushtë për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore”, kështu u shpreh shefi i aleancës veriatlantike, Jens Stoltenberg, teksa foli për situatën në veri të Kosovës.

“Është e rëndësishme që tensionet në Kosovë të ulen dhe kjo është detyrë dhe përgjegjësi e të dyja palëve dhe prandaj NATO mirëpret përpjekjet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për uljen e tensioneve”, tha Stoltenberg.

Ai u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për qetësimin e situatës dhe kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga Bashkimit Evropian, si çelësi kryesor për sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin në rajon.

“KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, dhe ne kemi shtuar praninë tonë dhe do të vazhdojmë të marrim të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve për de-përshkallëzim dhe të kthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE”, shtoi më tej ai.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.