Presidenti rus Vladimir Putin sapo i ka mbijetuar sfidës së tij më të madhe ndonjëherë, shkaktuar nga një njerëzit më besnikë të tij, Yevgeny Prigozhin. Megjithatë dy njerëzit protagonist të kësaj drame ruse, kanë zgjedhur të mos jenë në qendër të vëmendjes. Udhëheqësi nuk iu drejtua vendit të tij për shumë orë, që nga fjalimi i zymtë të shtunën në mëngjes, në kulmin e kryengritjejes. Prigozhin gjithashtu nuk shihej askund. Kreu i grupit ushtarak privat u pa për herë të fundit duke lënë qytetin jugor të Rostov-on-Don vonë të shtunën, pasi anuloi befas marshimin e trupave të tij në Moskë. Interesant është edhe një postim në Telegram, një foto e Prigozhin që mban gishtin në buzë, bashkë me një frazë që ukrainasit e përdorin për kundërsulmin e tyre. Por çfarë po ndodh me Prigozhin? Ashtu si gjithçka në Rusi tani, edhe kjo është e paqartë.

Dy emra të rinj

Mediat ruse vazhdojnë të spekulojnë për detajet e marrëveshjes midis Prigozhin dhe Putin, e cila u ndërmjetësua nga diktatori bjellorus Alexander Lukashenko. Megjithatë, Instituti për Studimin e Luftës sjell në vëmendje dy emra të rinj, shefin e zyrës së presidentit rus, Anton Vain, dhe ambasadorin rus në Bjellorusi, Boris Grizlov. Ata dyshohet se luajtën një nga rolet kryesore në ngjarjet e së shtunës, kur tanket Wagner ndaluan më pak se 300 kilometra nga Moska. Sipas Meduza dhe ISW, Prigozhin u përpoq të kontaktonte administratën e presidentit rus rreth mesditës të së shtunës, por Putin refuzoi çdo kontakt. Megjithatë, shefi i Wagner-it mesa duket e kapi paniku kur kuptoi se nuk mori mbështetjen që priste dhe shumë shpejt filloi negociatat me Lukashenkon, Vain dhe Grizlovin.

Ndryshime në ushtri

Prigozhin ishte gjithashtu në panik nga fakti se ushtarët e tij kishin vrarë pilotët dhe avionët e forcave ushtarake ruse dhe kishte frikë se Putini do ta bënte atë përgjegjës për atë akt.Portali Meduza, duke cituar disa burime ruse, thekson se Putini po mendon edhe ndryshime në Ministrinë e Mbrojtjes në fund të fundit. Disa kanë shkuar aq larg sa sugjerojnë se kjo është pjesë e marrëveshjes me Prigozhin. Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjenerali Valery Gerasimov, nuk e panë dhe nuk dëgjuan njëri-tjetrin deri në momentin kur Prigozhin hyri në veprim, dhe tani ka spekulime se Alexei Dyumin, guvernatori aktual i Rajoni i Tulës, mund të zëvendësojë Shoigu. Nëse ky informacion është i saktë, do të ishte një fitore e madhe për kreun e Wagner. Por fjalimi i djeshëm nga kreu i Kremlinit e “varrosi” këtë hipotezë. Siç shkruan prestigjiozja amerikane, “CNN”, tani ka një zgjedhje ekzistenciale për elitën ruse, midis regjimit të lëkundur të presidentit dhe “Frankensteinit” që kthehet kundër krijuesve të tij”.

Vrasja e Prigozhin

Dhe është gjithashtu momenti i zgjedhjes për ushtrinë, vazhdon CNN, duke pyetur se ku janë forcat speciale të FSB-së: “Të shkatërruar nga lufta ose me pak dëshirë për t’u përballur me shokët e armatosur dhe me përvojë të Wagner?”. Prigozhin mund të mos fitojë, por Putini do të dalë i dobësuar dhe mund të veprojë në mënyrë të paarsyeshme për të provuar forcën e tij dhe është e pashmangshme që do të ketë trazira dhe ndryshime të mëtejshme. Megjithatë, siç shkruan Jacopo Iacoboni, edhe nëse Putin është dobësuar shumë pas revoltës së Prigozhinit, ai ka fituar kohë. Në një postim të publikuar në profilin e tij në Twitter, Iacobini tha se kjo është fiks “koha kur diçka e keqe mund t’i ndodhë Prigozhin”. Në fakt, teksa marshonin drejt Moskës, presidenti rus dha urdhër të “neutralizonin”, pra të vrisnin Prigozhin, para se të binte dakord për një marrëveshje me drejtuesin e mercenarëve. Ish-shefi i CIA-s amerikane dhe gjenerali amerikan, David Petraeus nuk e përjashton mundësinë që Putin ta urdhërojë sërish, vrasjen e Prigozhin, në një moment të dytë. Ai e ka këshilluar shefin e ushtrisë mercenare “Wagner”, të bëjë kujdes “nga dritaret e hapura”, duke bërë kështu ironi me vdekjet në rrethana të mistershme të zyrtarëve rusë, pasi kanë shfaqur hapur kritikat ndaj regjimit të presidentit Vladimir Putin. S’do ishte çudi që Prigozhin të kishte të njëjtin fat.