Presidenti Bajram Begaj thotë se konflikti në veri të Kosovës nuk i shërben stabilitetit të rajonit në një kohë kur është në procesin e integrimit në BE. Në takimin me presidentin e Estonisë, Alar Karis, u shpreh se i gjithë tensioni sjell pasoja për rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar ndaj e cilëson të domosdoshme zgjidhjen.

Për ndikimin në nismën e ‘Open Balkan’,, Begaj thotë se iniciativa mbetet e mirëseardhur për aq kohë sa sjell përfitime ekonomike.

“Askush nuk është i kënaqur me situate apo sjellje që nuk i shërbejnë stabilitetit të rajonit aq më tepër kur është në proces të integrimit. Ndërsa të gjithë ne prisnim të zhvilloheshin negociata mes Kosovës e Serbisë, kemi pasur një tensionim të situatës, e cila ka ardhur si rrjedhojë e keqpërdorimit të popullatës serbe në veri të Kosovës dhe ushtrimit të dhunës nga grupe kriminale. Kjo sjell pasoja për rajonin por edhe për komunitetin ndërkombëtar siç është sforcimi i panevojshëm i partneriteteve. Mendoj që situate kërkon një zgjidhje e cila besoj se do të merret në konsideratë nga drejtuesit dhe 2 faktorët kryesorë. Sa i përket nismave rajonale, çdo nismë është pozitive dhe e domosdoshme dhe e rëndësishme. Për Ballkanin e Hapur, kjo është iniciativë e konceptuar vetëm si ekonomike që do të sillte përfitim përmes shkëmbimit të mallrave, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe burokracive. Nëse sjell iniciativë ekonomike, është e mirëserardhur si nismë. Çdo iniciativë rajonale është e lidhur me objektivin tonë strategjik që është integrimi në BE. Nëse nuk bashkëpunojmë me njëri tjetrin si mund të kërkojmë të bashkëpunojmë me komitetin e BE”, tha Begaj.

Ndër të tjera, presidenti Begaj tha se ka komunikime me autoritetet në Kosovë dhe i kërkon që të kenë durim e të koordinohen me partnerët strategjikë për të gjetur zgjidhje.“Komunikimi im me Kosovën është i vazhdueshëm, me autoritetet më të larta, me komandantin e KFOR dhe disa president të rajonit. Kam shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën dhe kam vënë theksin te marrëveshja në Bruksel dhe anekset e dakordësuara në Ohër. Duhet të fokusohemi te prioritetet. Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është i domosdoshëm. Kam bërë thirrje vëllazërore për autoritetet e Kosovës që në këtë situatë duhet të kenë durim, mature dhe duhet të dëgjojnë e të koordinohen me partnerët tanë strategjikë. Dhuna nuk është zgjidhja, konflikti i dhunshëm s’duhet të jetë opsion”, tha Begaj