Nga Arbër Hitaj/
Ka një zhvillim të ri në Partinë Demokratike, i përpunuar nga një grup deputetësh, që po përpiqen të dalin mbi palët, as me grupin e Sali Berishës, as me atë të Lulzim Bashës.
Madje, këta deputetë, befasuan me një nga super zbulimet e kohëve të fundit, Basha ka një grup “paramilitar” njëlloj si Berisha.
I kam ndjekur me vëmendje reagimet pas asaj përplasje. Presioni ishte shumë i dënueshëm dhe i gabuar ndaj deputetëve dhe gazetarëve, por, së pari këta deputetë duhet të kenë prova se ishte Basha në krye të këtij grupi prej dhjetë vetash, së dyti, nëse pranojmë se dhuna është e papranueshme, si mund të thuhet se jemi gati për negociata me Sali Berishën, që në sy të të gjitha mediave, në mesditë, në Janar të 2022, mund edhe t’i ekzekutonte!
Këta deputetë janë të paqartë në atë nivel sa përveç se ofrojnë zgjidhje pa zgjidhje, janë individë që me përjashtim të disave, nuk kanë fituar asnjë betejë politike, madje të tilla as nuk kanë ndërmarrë. Karrierën politike e kanë të falur nga Lulzim Basha, dhe tani kërkojnë një dhuratë tjetër, por nga Sali Berisha.
Ky i fundit, në këtë fazë është i gatshëm të ofrojë gjithçka përveç postit të kryetarit të partisë. Nga foltorja po qarkullon teza e ditëve të fundit, se Berisha heq dorë nga kandidimi për kryeministër por mban partinë! E si mund të qeverisë dikush me partinë kundër?
Asnjë nuk e di.
Por nëse do të kujtohet PS kur ishte në pushtet në 1997-2005, faktet tregojnë se Fatos Nano, si kryetar partie, i ndërronte kryeministrat bazuar në pozicionin e hënës! Kush e ushqen këtë tezë ose është naiv ose po bën lojën e Berishës. Madje, nga një përplasje si ajo e PS doli emri i LSI së Ilir Metës në 2005.
Partia Demokratike ka nevojë për një lider që t’ju flasë hapur qytetarëve se si do ta qeverisë nesër vendin, për të marrë më tej besimin e tyre dhe jo të rrisë akoma më shumë agoninë ku PD është zhytur prej 2 vitesh. Jo për të diskutuar për emra kryeministrash pa fituar zgjedhjet!
Pavarësisht kësaj, kompleksi nga kjo qasje e disa deputetëve, apo e këtyre tezave shterpë, nuk duhet ta ndalë Lulzim Bashën dhe këdo tjetër , për të folur hapur dhe qartë nëse duan apo jo ta drejtojnë partinë, me rrezikun e madh se në 2025 marrin përfitimin e pushtetit ose pensionin e parakohshëm.
Paqartësia nuk mund të ketë reagim me paqartësi. Mesazhi për të ardhmen është ajo që i mungon PD, uroj jo për shumë kohë!