Një histori e denjë për një skenar filmi ka ndodhur në Kolumbi. 4 fëmijë kanë mbijetuar pas një aksidenti ajror që ndodhi më 1 maj dhe janë gjetur të gjallë pas 40 ditësh në xhunglën kolumbiane.

Katër fëmijët e grupit etnik Huitoto, të cilët prej më shumë se një muaj u endën në xhungël, mbërritën sot me aeroplan në Bogota.

Ata udhëtuan nga San Joseé del Guaviare për në kryeqytetin Bogota me avion ushtarak, së bashku me babanë e tyre, njërin nga gjyshërit dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Në bazën ajrore, raporton gazeta El Tiempo, i prisnin katër autoambulanca, në të cilat u transferuan në spitalin ushtarak në Bogota ku do të kryejnë kontrollet mjekësore.

Përmes Twitter-it, Ministria e Mbrojtjes kolumbiane nënvizoi se pjesa më e vështirë e operacionit të shpëtimit të kryer pasditen e djeshme ishte ajo e sjelljes së katër fëmijëve nga pylli i dendur i Guaviare në të cilin u gjetën, në një helikopter, i cili ndodhet mbi 60 metra lartësi pasi nuk mund të ulej për shkak të pemëve.

Forcat speciale të ushtrisë shihen në video duke marrë katër fëmijët në krahë dhe me ndihmën e një kablloje metalike të lidhur me një çikrik të drejtuar nga avioni, i kanë marrë në bord.

Sipas ministrisë misioni është kryer me sukses dhe fëmijët janë dërguar tashmë në spital. Në foto, të rinjtë nga komunitetit Huitoto duken në gjendje shëndetësore të dobët.