Pas shpalljes “Non Grata” nga SHBA, kryetari shqiptar i komunës së Strugës, Ramiz Merko ka ngrirë strukturat partiake deri në mbylljen e procesit. Merko thotë se SHBA mbetet aleat i Maqedonisë së Veriut. Ai shprehet se është i hapur për çdo vendim të organit të drejtësisë së Strugës.

“Që nga Presidenti Uillson e deri më sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë në çdo sfidë dhe bashkë kemi realizuar shume projekte të rëndësishme për vendin, qytetin dhe qytetarët e Strugës.

Mbështetjen vijuese amerikane për vendin tonë dhe qytetarët e Strugës e mirëpres dhe e përkrah gjithmonë.

Pas zhvillimit të fundit në lidhje me vendimin e Departamentit të Shtetit Amerikan, nuk kam dashur të komunikoj në të mirë të proceseve për të cilat do të jem i hapur si çdo herë në përkrahje të drejtësisë dhe për secilin proces në organet e drejtësisë nga ana e institucionit të Komunës së Strugës dhe nga ana ime do të dorëzohet në kohë sa më të shpejt ashtu siç kam qënë transparent çdo herë për organet e drejtësisë dhe gjithë institucionet e tjera.

Për këtë, në të mirë të procesit, vendosa që secilin aktivitet në strukturat partiake ta ngrij deri në mbylljen e proceseve të rëndësishme për të gjithë.

Për fund dua të falenderoj secilin qytetar për mbështetjen ndër vite por dhe mbështetjen të cilën nuk e kanë kursyer dhe këto ditë të cilët jam i bindur se bashkërisht do i kalojmë, në funksion të krijimit të kushteve për një jetë sa më të mirë të qytetarëve të Strugës dhe jo vetëm, për Strugën që e duam.”- thotë ai.

Ramiz Merko u shpall non grata nga SHBA më 20 qershor. Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.