Në Bruksel ka filluar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Pas takimit me Kurtin, Borrell pritet të bisedojë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Më herët, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian tha se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”. Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në një konferencë për shtyp të enjten nuk ka treguar saktësisht nwse do të ketë apo jo takim trepalësh.
“Unë nuk kam thënë se nuk do të ketë takim mes tyre. Me rëndësi është se ata sot do të jenë në Bruksel, me ftesë të përfaqësuesit të lartë. Të shohim se si do të shkojnë takimet, e pastaj mund të dimë më shumë”, është përgjigjur Massrali, në pyetjen nwse do të ketë pasoja për ata që refuzojnë të takohen. “Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e rrugëdaljes për uljen e tensioneve të tashme, në mënyrë që [palët] të kthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, në veçanti të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për mediat.
Kurti dhe Vuçiç e kishin konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga Borrelli. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më herët gjatë 22 qershorit tha se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.
“Biseda me të [Kurtin] nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për [Adem] Demaçin, pak për [Karl] Marx”, tha Vuçiç.
Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit. Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.
Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.