Të paktën njëqind persona kanë ndërruar jetë në dy javët e fundit në Meksikë për shkak të nxehtit, pasi temperaturat shkuan deri 50 gradë Celsius në disa pjesë të vendit.
Një valë e nxehtë trejavore ka detyruar autoritetet të pezullojnë mësimet në disa zona. Më shumë se dy të tretat e vdekjeve kanë ndodhur në javën 18-24 qershor, ndërsa pjesa tjetër javën e kaluar, sipas ministrisë së Shëndetësisë.
Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është regjistruar vetëm një vdekje e shkaktuar nga i nxehti. Pothuajse të gjitha vdekjet i atribuohen nxehtësisë dhe disa dehidrimit.
Rreth 64 për qind e vdekjeve ndodhën në shtetin verior të Nuevo Leon, i cili kufizohet me Teksasin. Shumica e të tjerëve ishin në Tamaulipas dhe Veracruz.