Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj fton prindërit që të dërgojnë fëmijët e tyre në “Shown e robotëve” në Zoo Park Tirana, një hapësirë fantastike ku të vegjlit mësojnë më shumë për insektet; për ndërtimin e trupit të tyre, funksionin e antenave, për “syrin spiun” dhe se si robotika ka imituar lëvizjen e insekteve.
“Për një eksperiencë ndryshe, çdo të shtunë në 10:00 deri në 11:00, sillni fëmijët te Zoo Park Tirana”, shkruan Veliaj.
Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka nisur një projekt ambicioz për transformimin e Piramidës në Qendrën e Inovacionit. Piramida nuk do të jetë vetëm hapësira e teknologjisë së informacionit, por edhe një stacion i turizmit në Tiranë, i atyre që duan të mësojnë historinë apo të shohin peizazhin.
Po ashtu Piramida do të funksionojë për trajnime, do të ketë biblioteke, salla ku njerëzit mund të mblidhen, salla ku mund të ekspozojnë punimet e tyre dhe qendër TUMO, një lloj i ri i përvojës arsimore në kryqëzimin e teknologjisë dhe dizajnit. Institucioni arsimor TUMO Tirana do të drejtojë Piramidën pas rinovimit të saj. Ai do të ofrojë programe arsimore parashkollore për 12 – 18-vjeçarët, si robotika, animacioni, zhvillimi i lojërave, muzika dhe filmi.