Në festën e Kurban Bajramit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me Elvis Naçin dhe Ilir Hoxhollin, drejtuesit e fondacionit ‘Firdeus’ dhe “Shqiptarët për Shqiptarët”, vizituan dje pasdite familjet e Lagjes së re që po rindërtohet në Pezë. Përveç shtëpive të reja, për 25 familjet të dëmtuara në lagjen e re po kryhen dhe të gjitha punimet infrastrukturore për komunitetin e ri të kësaj zone.

Veliaj ka falënderuar këdo që ka kontribuuar dhe në veçanti dy fondacionet “Firdeus” dhe “Shqiptarët për shqiptarët” që u vunë menjëherë në lëvizje për të ndihmuar të dëmtuarit e tërmetit. “Shumica e njerëzve që kanë kontribuuar kërkojnë të mbeten anonim, të mos dalin në publik, por këta njerëz meritojnë të gjithë mirënjohjen dhe të gjithë dashurinë tonë. Kështu që, kudo qofshin, në Zvicër, në Australi, në Kanada, në Amerikë, në Argjentinë, në Japoni, nëse dikush ka dhënë një qindarkë, për ne këta janë donatorë më të rëndësishëm se vendet, se kombet, se industritë e mëdha që mund të kenë dhënë një pjesë të vogël të kontributit,” tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë vlerësoi se i gjithë kontributi i tyre do të vlejë për të nesërmen e këtij komuniteti. “Sot, – shtoi Veliaj, – ne nuk kemi ndërtuar vetëm shtëpi, sot kemi ndërtuar një komunitet dhe sot nuk kemi prerë me gërshërë vetëm një lagje të re, por kemi ndërprerë një fill varfërie që nuk mbaronte kurrë.”

Ai tha se në Pezë është rindërtuar çdo gjë nga e para. “Kemi bërë shkolla të reja, kopshte, çerdhe, rrugë të reja dhe më në fund 25 shtëpi, vila, një mjedis komunitar. Unë besoj fort se kombet nuk maten sa e kanë bilancin ekonomik, financiar, por maten sa e kanë bilancin shpirtëror. Ne ndoshta GDP-në nuk e kemi sa të Brukselit, e nuk e kemi sa shumica e vendeve europiane, por di të them që me këtë që kam parë nga “Firdeus”, nga “Shqiptarët për shqiptarët”, te ajo fleta e bilancit shpirtëror, e kontributit, e dashamirësisë, e solidaritetit, ne jemi një rast unik. Edhe e them këtë me krenari të jashtëzakonshme,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.