5 varka artizanale dhe 1 traget janë bllokuar në liqenin e Komanit, me qëllim rritjen e sigurisë së jetës së turistëve dhe vizitorëve që frekuentojnë liqenin e Komanit.

Policia ka gjobitur drejtuesit e varkave me 10 mijë lekë, ndërsa ka nisur procedimin penal për pronarin e tragetit, Gjin Guri.

Sipas policisë bllokimi i tragetit në pronësi të Gjin Gurit, u bë pasi gjatë verifikimeve të kryera është konstatuar se ky traget ishte i paregjistruar në organet tatimore, kishte punonjës te paregjistruar, si dhe mungonte leja e drejtimit për guidimin e tij.

‘Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori, për Gjin Gurin, 53 vjeç, banues në Shtoj i Ri, Shkodër, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.’- njofton policia.

Policia njofton se operacioni ‘Komani’ për kontrollin e mjeteve lundruese, turistike dhe argëtuese, për sigurinë e turistëve dhe vizitorëve në liqenin e Komanit, vijon.