Një i dyshuar tjetër është vënë në hetim nga policia Italiane për vrasjen e 20-vjeçarit shqiptar Enrico Aliaj, i cili humbi jetën pasi u qëllua me plumb në kokë. Ai është shoku i viktimës dhe vëllait të tij Elham Aliaj, një 17 vjeçar italian, i cili ishte në banesë në momentin kur ndodhi vrasja dhe me pas u largua nga banesa.
Të tre, përfshirë dhe viktimën, i janë nënshtruar tashmë ekzaminimit, për të konstatuar ndonjë gjurmë të mbetjeve të zjarrit në duart e tyre.
Rezultati i këtij ekzaminimi, së bashku me rezultatet e autopsisë dhe raportin balistik, do të jenë përcaktues për të vërtetuar ose jo versionin e dhënë nga dy miqtë se bëhet fjalë për një loje të rrezikshme (ruletë ruse), që përfundoi në tragjedi pasi Enriko, qëlloi veten.
Shqipe Aliaj, nëna e viktimës, tha në një intervistë për Report TV se djali i saj po luante me pistoletën me mulli me një fishek të vetëm në momentin kur qëlloi veten. E gjithë skena e ngjarjes është parë nga vëllai tjetër 18 vjeçar dhe shoku i tyre i cili ishte i pranishëm. Megjithatë hetimet për vdekjen e të riut vijojnë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 3 qershorit në provincën e Piacenzas. Ditët e ardhshme pritet të kryhet edhe autopsia në trupin e 20-vjeçarit, për të zbardhur më shumë elementë në lidhje me trajektoren e plumbit.
Viktima merrej edhe me aktivitet sportiv ku në rrjetet sociale shfaqet duke luajtur futboll dhe me uniformë. Profesori i Enrico-s, Sergio Segalini ka thënë se komuniteti i zonës është tronditur nga ngjarja ndërsa i riu shqiptar ishte shumë aktiv në ndihmë të kujtdo që kishte nevojë për ndihmë. Enrico jetonte me prindërit e tij, vëllain e tij 18-vjeçar Elham dhe motrën e tij më të vogël.