Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka thënë se përshkallëzimi i situatës në Kosovë nuk e ka arritur pikun dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron luftë.
“Ai dëshiron të ndodhë gjithçka që unë dua të shmang. Ne nuk e kemi arritur pikun e përshkallëzimit të krizës në Kosovë, siç mendojnë disa, mirëpo Kurti dëshiron luftë. Ai lutet për diçka të tillë”, ka thënë presidenti serb për Televizionin Pink në Beograd.
Ai ka thënë se Kurti nuk do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse duhet të formohet “në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.