Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike është shoqëruar me debate dhe përplasje të shumta ditën e djeshme. Teksa një grup deputetësh do largoheshin nga mbledhja, pasi nuk po dëgjoheshin, deputetja Flutura Açka i ka quajtur ata palaço. Ndërkohë që i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Saimir Korreshit, i cili e ka pyetur se si nuk i vjen turp.
Flutura Açka: Ja u çuan dhe ikën këta palaçot.
Saimir Korreshi: Po si flet kështu, si nuk të vjen turp ty moj?
Pas 10 orësh debate e tension, Kryesia e Partisë Demokratike doli me vendimin për hapjen e garës për kreun e ri të partisë. Me 17 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime, Kryesia vendosi që gara për kreun e ri të demokratëve të mbahet më 29 korrik, në kushtet kur edhe Jorida Tabaku refuzoi drejtimin e partisë.Ky vendim, ka sjellë tensione në mbledhje, pasi deputetët, që njëherazi janë edhe anëtarë të Kryesisë, nuk kanë pranuar që zgjedhjet të mbahen tani. Me këtë situatë, vihet re një tjetër përçarje mes Partisë Demokratike, që pasoi edhe me dorëheqjen e Jorida Tabakut nga posti i nënkryetares. Në një deklaratë për mediat, Tabaku e cilësoi këtë vendim si nëj hap që e zvogëlon më shumë partinë.