Të dielën e ardhshme Mali i Zi mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nik Gjeloshaj, kryetari i komunës së Tuzit në Malin e Zi dhe kryetar i “Forumit Shqiptar” zhvilloi një intervistë për emisionin “Opinion” ku foli në lidhje me mundësitë që kanë shqiptarët atje në këto zgjedhje. Ai u shpreh se është e sigurt që shqiptarët do t’i nxjerrin dy përfaqësues në parlamentin e Malit të Zi.
“Partitë shqiptare i kanë mundësitë ligjore deri në tre mandate i prodhojnë. Proceset e mëparshme zgjedhore nuk është arritur ky objektiv. Jemi ndalu në dy përfaqësues autentikë përmes partive shqiptare. Mendoj se në këto zgjedhje është e sigurt që do t’i kemi dy përfaqësues autentikë. A do të kemi më shumë mendoj se varet më shumë prej subjekteve të tjera nacionale që marrin pjesë se sa do ta arrijnë ato të prezantojnë idetë e tyre. Mendoj se për Forumin Shqiptar e sigurt është ajo çka është te opinioni se do t’i kemi dy përfaqësues në parlamentin e Malit të Zi”, tha Gjeloshaj.
“Forumi Shqiptar” është e 15 në listën e votimit. Gjeloshaj tha se slogani është “Besa për zhvillim europian”.
“Ne presim që të jemi faktor në konstituimin e qeverisë. Nuk do të pranojmë kurrë që të jemi dekori i dikujt. Kur mendoj faktor ne do të jemi dhe garantues që ajo qeveri të jetë pro amerikane, pro europiane, pro NATO, fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet, posaçërisht me shtetin amë Shqipërinë. Që të ketë qëndrim të njëjtë ndaj Kosovës, që të mos vihet në pikëpyetje pranimi i Kosovës nga Mali i Zi. Të jemi mburojë e asaj që është politika e shqiptarëve në rajon”, tha Gjeloshaj.
Ndër të tjera në lidhje me partitë shqiptare, Gjeloshaj u shpreh se, “Unë kisha dhe ide dhe dëshirë si drejtues i Forumit Shqiptar që të kemi një listë të përbashkët, por që në fillim prej disa muajsh ne kemi pasur disa vija të kuqe. Ajo ka qenë që përkrahësit e marrëveshjes themelore me kishën serbe, që kanë legjitimuar edhe më të vjetër se Malin e zi dhe kisha serbe në mal të zi dhe kam menduar që duhet të ketë rifreski në ato subjekte që të marrin përgjegjësinë individuale dhe jo krejt subjektet. Unë kam pasur një propozim që të ndodhë ajo”.