Nga Mero Baze/
Kryeministri Edi Rama i ka gjetur ne befasi të gjithë ata që donin të justifikonin armiqësinë e Albin Kurtit ndaj Shqipërisë me Ballkanin e Hapur. Deklarata e tij se Ballkani i Hapur e kreu Misionin dhe se duhet të fokusohemi tek Procesi i Berlinit, nuk është asgjë e re për politikën shqiptare. Procesi i Berlinit dhe Ballkani i hapur nuk kishin asnjë pikë që binte ndesh me njëri tjetrin, por ishte një proces me dy shpejtësi të ndryshme, lokale dhe rajonale.
Të gjithë ata që deri më sot janë përpjekur të gënjejnë se Albin Kurti është armiqësuar me Shqipërinë për shkak të Ballkanit të Haur tani do tiu duhet të vazhdojnë sulmet ndaj procesit të Berlinit ndaj SHBA dhe BE, pasi në thelb Albin Kurti nuk e ka inatin me Shqipërinë, pse ajo ishte pjesë e Ballkanit të Hapur, por pse është në një linjë me Perëndimin sa i përket Kosovës.
Në kushtet kur në Kosovë përshkallëzimi I situatës për shkak të Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuciq po vazhdon çdo ditë natyrisht që nuk ka më kuptim të flasim për një mirëkuptim ballkanik. Perëndimi por as Edi Rama nuk ka pse konsideron më faktor konstruktiv rajonal Aleksandër Vuciqin, I cili ka gjetur të argëtohet me një kryeministër delirant në Kosovë, duke bërë, ai si hero serb, e ky si hero shqiptar, në dëm të Kosovës që të dy.
Aq sa e ka ndihmuar Albin Kurti, Aleksandër Vuçiqin, duhen 100 Ballkan të Hapur ta ndihmojnë. Por ky proces nuk ka më kuptim në këtë situatë. Shqipëria ka tjetër rol tani e tutje.
Shqipëria mirëpret në vjeshtë Konferencën evropiane të Procesit të Berlinit në Tiranë, duke marrë një rol historik në këtë proces dhe natyrisht nuk ka pse humbet më energji me një derivat lokal të këtij procesi I cili po keqpërdoret si nga Serbia ashtu dhe nga Kosova. Serbia duke e shpërdoruar ndërsa Kosova duke e demonizuar.
Ai proces realisht eksploroi gjithë mundësitë e bashkëpunimit rajonal dhe dha një fotografi se kush ka gatishmëri të bashkëpunojë për katër parimet e Procesit të Berlinit dhe kush jo.
Kosova me Albin Kuritn u reshtua kundër. Por procesi I Berlinit që është lokomotiva e bashkëpunimit ballkanik, për fatin e tij të keq kërkon sërish të njejtat gjëra.
Më tej Plani Franko gjerman, po ashtu kërkon të njëjtat gjëra.
Edhe më tutje SHBA dhe BE do të vazhdojnë të kërkojnë të njëjtat gjëra.
Do të jetë e lodhshme tani, siç ka filluar të jetë, të dëgjojmë përsëri të njëjtën kënge nga Kosova se Shqipëria po na prish punë, se po përkrah Procesin e Berlinit sic po thonë tani se Shqipëria po na prish punë s epo mendon si SHBA dhe BE kundër Albin Kurtit.
Kjo situatë do të vazhdojë, pasi Albin Kurti nuk e kishte me Ballkanin e Hapur por me mendjen e tij të mbyllur izolacioniste që po fut Kosovën në qorrsokak duke dëmtuar perspektivën e saj historike.
Për Edi Ramën mund të jetë një akuzë më pak, por nga të njëjtët njerëz, të jeni të sigurt që do jetë një grusht urrejtje më shumë pse i ka lënë pa argument . Dhe do të bëhte më keq.
Se tani nuk do gjuajnë me gurë më tre lidera rajonal, por BE, ShBA dhe Berlinin. Dhe prap do të thonë na prishi Edi Rama me BE SHBA dhe Berlinin, pasi ato spo e duan Albinin.