Skuadra e Chelsea ka dhënë OK për transferimin e sulmuesit belg Romelu Lukaku tek ekipi i Al-Hilal, pas ofertës prej 50 milionë euro që ka bërë klub arab. Një ofertë që është më e lartë se ajo e propozuar nga Inter e Juventus (40 milionë), që kanë hyrë në sherr mes tyre për sulmuesin.
Ekipi i Al-Hilal ka kohë që ka shënjestruar belgun, pasi ka siguruar transferimet e Milinkovic-Savic e Koulibaly, ndaj dhe ka vendosur ta mposhtë konkurrencën italiane duke i ofruar “bluve” të Londrës më shumë. Kjo strategji ka bindur Chelsea, ndërkohë që është për t’u bindur edhe Lukaku.
Edhe oferta që arabët i kanë bërë sulmuesit është e mirë, 50 milionë euro për dy sezone, por Lukaku ka ende dëshirë të luajë në Europë, ndaj po reflekton. Inter u tërhoq nga gara, ndërsa Juventus shpreson ende, duke qenë se sulmuesi nuk është nisur për në Amerikë me skuadrën e Chelsea.
Te Chelsea nuk e duan më sulmuesin belg, ndaj dhe klubi është gati ta shesë tek oferta më e mirë, dmth ajo arabe. Al-Hilal është ende në pritje të një përgjigje, madje duke qenë e gatshme t’i ngrejë rrogën lojtarit.