Kristjan Asllani kërkon titullin kampion me Interin në Serie A. Mesfushori i Kombëtares pritet të marrë më shumë minuta në fushë gjatë sezonit të ri dhe me gjasë ky do jetë trofeu i tij, të bindë Inzaghin që të jetë titullar në mesin e fushës së zikaltërve.

Në një intervistë të fundit për faqen e klubit, elbasanasi ka shpalosur edhe idenë e tij. Kërkon që të jetë kampion i Serie A me Interin.

“Është gjithmonë kënaqësi të rikthehesh dhe të takosh shokët. Më mungonte fusha kur isha me pushime dhe jam shumë i lumtur që kemi nisur përgatitjet për një tjetër sezon. Vitin e kaluar punova shumë dhe shokët e skuadrës më ndihmuan shumë për t’u përmirësuar, ndaj tani jam gati të marr më shumë përsipër”, u shpreh Asllani, teksa ky dukej edhe si një “sms” për trajnerin.

Me idetë e qarta, Asllani do të bëhet kampion i Italisë me Interin.

“Këtë sezon kemi si objektiv të fitojmë titullin kampion. Kemi nisur përgatitjet dhe do të vijojmë të punojmë shumë për t’ia dalë”, deklaroi Asllani mes të tjerash.