Oriol Romeu është lojtari më i ri i Barcelonës me klubin katalanas që zyrtarizoi marrëveshjen me mesfushorin që ngarkohet me detyrën për të zëvendësuar Sergio Busquets.
Lojtari që në shtator do të mbushë 32-vjeç transferohet te blaugranat nga Girona për shifrën e 4.5 milionë eurove. Romeu ka firmosur një kontratë trevjeçare me Barcelonën ndërsa bie në sy klauzola prej 400 milionë euro.
Kujtojmë se Romeu nuk është një emër i panjohur për katalanasit pasi mesfushori provoi të luante me Barçën në fillimet e karrierës.
Fillimisht Romeu u bë pjesë e skuadrës B dhe më pas kaloi në ekipin e parë gjatë sezonit 2010/2011, por nuk ia doli të shndërrohej në një element të rëndësishëm për trajnerin e asaj kohe Pep Guardiola, duke e mbyllur sezonin me vetëm dy paraqitje.
Më pas Romeu u largua nga Barcelona dhe provoi disa eksperienca, më e rëndësishmja ajo në Premier League me Southampton ku u aktivizua për shtatë vite.
Tashmë Romeu rikthehet te fanella blaugrana më i pjekur dhe me besimin e trajnerit Xavi Hernandez i cili ishte vënë në kërkim të muskujve sa i takon repartit të mesfushës.
Romeu shndërrohet në transferimin e tretë të Barcelonës në këtë merkato pas Inigo Martinez dhe Ilkay Gundogan.