Tashmë edhe zyrtarisht, Vitor Roque është lojtari më i ri i Barcelonës teksa pas Ilkay Gundogan dhe Inigo Martinez, braziliani shndërrohet në goditjen e tretë për këtë verë nga skuadra katalanase.

18-vjeçari ka firmosur me blaugranat një kontratë të vlefshme deri në vitin 2031, por që do të qëndrojë në Brazil me Athlético Paranaense edhe këtë sezon për t’u bashkuar me spanjollët vetëm në fillimin e vitit 2024.

Sulmuesi cilësohet si një nga lojtarët më të mirë brazilian të gjeneratës së tij teksa Barcelona prej kohësh këmbëngulte për shërbimet e sulmuesit. Ndërkohë, në komunikatën zytare të Barçës në lidhje me transferimin e Vitor Roque nuk bëhet e ditur vlera e këtij operacioni. Edhe pse mediat flasin për një shifër prej 61 milionë euro në total, shumë që do të ndahet në dy pjesë.