Të martën, krerët e institucioneve evropiane kanë ripërsëritur domosdoshmërinë për qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pas takimit me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç. Bërnabiç vizitoi Brukselin, ku u takua me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Michel, përmes një postimi në Twitter ka theksuar se i ka përcjellë kryeministres serbe mesazhin nga samiti i javës së kaluar për domosdoshmërinë e shtensionimit urgjent të situatës në veri të Kosovës dhe vazhdimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së. Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut me Kosovën.
Ana Bërnabiç u takua edhe me Komisionerin Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi. Krahas marrëdhënieve me Kosovën, në të gjitha takimet u theksua mbështetja për rrugën evropiane të Serbisë, por gjithashtu u nënvizua domosdoshmëria e ndërmarrjes së reformave që janë kyçe për procesin e anëtarësimit të Serbisë. Sa i përket situatës në veri të Kosovës, kryeministrja e Serbisë tha se “topi është në fushën e Prishtinës”.
“Është e nevojshme që, para së gjithash, ngacmimi dhe persekutimi i serbëve në Kosovë dhe arrestimet dhe ndalimet arbitrare pa asnjë provë, ngacmimi dhe torturimi i njerëzve që janë plotësisht të pafajshëm dhe për të cilët të gjithë kanë prova se janë të pafajshëm, nga ne në EULEX dhe në fund të fundit edhe në Prishtinë”, u tha Bërnabiq gazetarëve.
Zyrtarët evropianë i kanë kërkuar vazhdimisht Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe kthimin në dialog me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së. Që nga rritja e tensioneve në veri në fund të majit, nuk ka pasur takime në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës Kurti dhe presidenti serb Vuçiq kanë mbajtur disa “takime krize” me zyrtarë evropianë në Bruksel, por nuk kanë pasur takime bilaterale. Takimet me ndërmjetësit në dialog, megjithatë, përfunduan pa rezultate konkrete.