Nga Ilir Ikonomi

Si sot 105 vjet më parë, Fan Noli, bashkë me përfaqësues të 33 kombësive, të ftuar nga presidenti Woodrow Wilson në jahtin presidencial, shkuan në Mount Vernon, një bregore e gjelbëruar jo shumë larg Uashingtonit, për të marrë pjesë në festimet e 4 korrikut – ditës së pavarësisë së Amerikës.

Atje, Wilsoni mbajti një fjalim pranë varrit të Presidentit George Washington. Të ftuarit vendosën kurora.

Në atë kohë, Fan Noli ishte kryetar i Federatës Vatra të Amerikës në Boston. Lufta e Parë Botërore dukej se do të përfundonte shpejt dhe fati i Shqipërisë ishte në fije të perit. Ajo mund të copëtohej mes fqinjëve.

Gjatë kthimit për në Uashington, Wilsoni bisedoi në jaht me secilin prej të ftuarve.

Noli gjeti rast dhe i tha Presidentit se po të mbretëronin ato parime që deklaroi në fjalimin e tij, s’ka dyshim që edhe Shqipëria do të fitonte të drejtat e saj. Wilsoni iu përgjigj se “ato parime do të mbretërojnë, sepse për ato luftojmë”.

Pas kësaj, Noli iu afrua Zonjës së Parë, Edith, e cila po shijonte rrjedhën e gjerë të lumit Potomak.

FAN NOLI: Zonjë, shqiptarët më kanë porositur t’ju lutem që ta kujtoni Shqipërinë, një vend aq i varfër, pa miq dhe pa ndonjë përkrahje. Po nuk qajnë për urinë dhe mjerimet që heqin, po për humbjen e saj.

ZONJA WILSON: Po. Na vjen shumë keq për kombësitë e vogla si Shqipëria, Belgjika e të tjerat.

FAN NOLI: Situata jonë, zonjë, është shumë e koklavitur dhe e trazuar.

Në këtë kohë në bisedë ndërhyri presidenti Wilson, i cili ishte duke folur me një diplomat aty pranë.

PRESIDENTI WILSON: Me të vërtetë është shumë e koklavitur.

FAN NOLI: E vetmja shpresë për Shqipërinë është Amerika dhe ju, zoti president.

PRESIDENTI WILSON: Unë do të kem vetëm një zë në kongresin e paqes dhe atë zë do ta përdor dhe për të drejtat e Shqipërisë.

FAN NOLI: Ai zë është i mjaftë për shqiptarët dhe ata do të jenë vdekërisht të gëzuar dhe fare të sigurtë për të drejtat e tyre.

PRESIDENTI WILSON: (Buzëqesh) Jo, mos ia u thuaj pikërisht ashtu shqiptarëve, se ahere ata do ta lenë punën e tyre në gjumë. Duhet ata paskëtaj të punojnë ca më tepër se kurdoherë.