Ish-mbrojtësi francez i Manchester City, Benjamin Mendy do ti rikthehet futbollit të luajtur, rreth 3 vite pasi qëndroi larg fushave të blerta për shkak të procesit gjyqësor ku ai ishte i akuzuar për përdhunim.

Tre herë fituesi i Premier League me City-n dhe kampioni i botës me Francën u la i lirë nga “Qytetarët” kur kontrata e tij skadoi në fund të qershorit, por tashmë ka nënshkruar një marrëveshja dyvjeçare me klubin e Ligue 1, Lorient.

Të gjitha akuzat që rëndonin mbi mbrojtësin e majtë u rrëzuan të premten nga gjykata e Chester Crown, duke i hapur rrugën rinisjes së karrierës për Mendy.

Në fillim të këtij viti, futbollisti ishte shpallur i pafajshëm nga akuzat për ofendime seksuale ndaj disa vajzave, por juria nuk ishte në gjendje të merrte vendime për dy akuzat e tjera, për përdhunim dhe tentativë përdhunimi, ndaj pati dhe një rigjykim.

29-vjeçari u bë mbrojtësi më i shtrenjtë i Premier League kur City i pagoi 52 milionë paund Monacos për të në vitin 2017.