Nga Mero Baze/
Të vetmit përvjetorë që Sali Berisha feston prej vitit 2021, janë përvjetorët e ndëshkimeve ndërkombëtare të tij. Çdo 21 maj përkujton ndëshkimin nga SHBA si person që ka minuar demokracinë në Shqipëri, si i përfshirë familjarisht në korrupsion madhor dhe si shantazhues i drejtësisë.
Tani çdo 19 korrik i është shtuar dhe përkujtimi i shpalljes non grata nga Britania e Madhe, si një politikan me lidhje kriminale, si një kryeministër që i ka mundësuar vajzës së tij të jetë seksere pushteti dhe si përdorues i kriminelëve për qëllime politike.
Sot kishte një nga këto përvjetorët dhe nuk do t’ia vlente të bëhej as lajm, nëse nuk shikoje përpjekjen e tij të stërmundimshme, për të shpjeguar pas një viti malin me akuza nga qeveria britanike.
E vetmja gjë e mirë që bëri është që lexoi gjithë akuzat, edhe pse disa përpiqej t’i lexonte pjesërisht.
Çdo akuzë e bërë nga qeveria britanike, jo vetëm që është e vërtetë, por është një dosje e gatshme penale për drejtësinë shqiptare që nuk vepron ndaj tij.
Transaksionet financiare mes Damir Fazliç dhe vajzës së tij, ku vetëm njëra është 1,7 milion euro, prokura e gjithëpushtetshme e Damir Fazliç për studion e vajzës së tij në menaxhimin, shitjen dhe transferimin e kapitaleve të kompanisë rregjistruar në Qipro, historia e vajzës së tij me biznesmenin pakistanez, të cilit përmes email-eve i kërkon si shpërblim 3 për qind të projektit 100 milionë eurosh për ndërtimin e një TEC në Portoromano, për të cilin duhet të firmoste babai i saj kryeministër dhe të tjera histori të studios së saj të famshme ligjore, janë një fushë e minuar për të dhe familjen e tij, sikur këtu drejtësia të vepronte njësoj për gjithë politikanët.
Do të mjaftonte të merrje në kohë deklarimet e tij për Damir Fazliç kur ka thënë në Parlament se e kam mik shtëpie dhe darkonte në shtëpinë e tij, kur na e fuste në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, edhe pse qe një tregtar armësh serbo- boshnjak në rajon, dhe deklarata e sotme që thotë se ai ishte një mik i Lulzim Bashës, do të mjaftonin për të kuptuar raportin që Sali Berisha ka me faktet dhe të vërtetën.
Do të mjaftonte të shikoje videon e një personi në kërkim në Britani të Madhe, Fation Dautit, ku në prani të Flamur Nokës shkelmon derën e kryetarit të PD, Lulzim Basha, duke e shqyer atë, për t’i shërbyer Sali Berishës dhe deklaratën e Berishës që nuk e njeh atë, për të kuptuar se çfarë respekti ka ky njeri për faktet.
Duke u përpjekur t’i përgënjeshtrojë ato fakte, Berisha i ka bërë një nder opinionit publik dhe drejtësisë, duke ja kujtuar se çfarë ka bërë. Dhe si për ta mbyllur marrëzinë e tij deri në fund, edhe pse kishte paralajmëruar se do nxirrte fakte për korrupsionin e dy ambasadorëve britanikë në Shqipëri që kanë hartuar dosjen, ai jo vetëm që nuk dëshmoi dot asnjë fakt, por i konsideroi të korruptuar vetëm se i kanë renditur atij gjithë krimet e tij në një dosje.
Berisha po ashtu u përpoq të mbrohej nga “non grata” e SHBA, duke përsëritur një gënjeshtër që tani është sqaruar dhjetëra herë, që SHBA nuk komunikon dhe nuk u jep llogari personave të sanksionuar prej saj. SHBA ka dosjet e saj dhe informacionet e saj nuk i bën publike. Nuk i ka bërë publike për askënd, jo vetëm për Berishën. Ndryshimi i vetëm është se për Berishën ka përshkruar më shumë se për këdo tjetër arsyet për të cilat është ndëshkuar dhe ato janë si minues i demokracisë për 30 vjet, si familje hajdutesh dhe si shantazhues i drejtësisë.
Ky bilanc tragjik është i verifikueshëm nga çdo qytetar i Shqipërisë. Ai është njeriu që ka shkatërruar i pari proceset zgjedhore në Shqipëri dhe institucionet e shtetit shqiptar, është i njohur si një familje e korruptuar me grua hajdute, vajzë hajdute e djalë hajdut, dhe është ende dhe sot shantazhues i sistemit të drejtësisë.
Atëherë pyetja legjitime është përse Berisha ishte kaq i vendosur të dilte në mes të vapës dhe të na kujtonte të gjithëve gjithë krimet e tij 30 vjeçare?
Arsyeja duket se është diku tjetër. Atë e ka kapur makthi se SPAK po lëviz në adresë të një prej familjarëve të tij, për një aferë që tani është publike, dhe dyshon se mund ta arrestojnë.
Për këtë arsye doli për të sulmuar ashpër SHBA dhe Britaninë e Madhe, me qëllim që nëse djali, dhëndri apo vajza e tij përfundojnë në burg në këtë vapë gushti, të thotë se është hakmarrje e SHBA dhe Britanisë së Madhe ndaj akuzave që ai ka bërë sot. Thjeshtë është duke përgatitur alibinë për t’u mbrojtur si hajdut që mund të ndëshkohet.
Nuk shpresoj shume tek drejtësia, por më vjen mirë që Berisha edhe pse i ka masakaruar me presione ua ka sërish frikën.
Nuk është pak që ky njeri të fillojë të trembet. Kjo që bëri sot është shenjë e mirë. E di vetë se çka bërë, ndaj dhe po përpiqet t’i dalë të keqes përpara.