Funksionari i larte i “Rithemelimit” Aleksandër Biberaj ishte këtë të diel i ftuar në një intervistë për Euronews Albania ku ka folur për zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike të cilat pritet të mbahen më 29 korrik.

Ai e ka quajtur turp të madh kandidimin e Lulzim Bashës, pasi sipas tij, demokratët investuan për 10 vite që ai të bëhej kryeministër e jo që të bëhej kryetari i një partie me 10 veta.

Birberaj tha gjithashtu se edhe ish-kryeministri Berisha duhet të tërhiqet e të bëjë çmos që të bashkojë demokratët në një parti, pasi kjo do të jetë e vetmja mënyrë për të “rrëzuar” Edi Ramën.

“Është ngjallur Lulzim Basha. Basha me këtë rast e thellon ndarjen dhe humbet edhe ndonjë kredit që i kishte mbetur, sepse çfarë po synon të bëhesh kryetar i Partisë Demokratike, kur ti zotëri more investimin tonë 10-vjeçar për t’u bërë kryeministër.

Ne e donim Lulzim Bashën kryeministër, jo kryetar partie me 10 veta, parti vule. Na kujton ca parti që kryetarët i marrin vulat me vete.

Nuk prodhon asgjë, e thellon përçarjen, por duhet patjetër reagim edhe nga Partia demokratike që drejtohet nga zoti Berisha. Zoti Berisha duhet të japë dorëheqjen e të largohet. Duhet të bëjë maksimumin ta bashkojë partinë”,-tha Aleksandër Biberaj.