Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, në një konferencë para gazetarëve është pyetur edhe për audionçizmet e publikuara së fundit në të cilat dëgjohet komunikimi i shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me zyrtarin e lartë të Listës Serbe, Slavko Simic, e ku vetë Lila konfirmon se ka biseduar edhe me Milan Radojicic, shkruan Gazeta Express.
Hovenier ka thënë se s’mund të flasë për politika të brendshme që kanë implikim, dhe shton se liderët politik në parlamente shpesh kanë biseda të rëndësishme me aktorë opozitarë për të arritur rezultate. Por shton se sa i përket Milan Radojicicit, SHBA ka dalë me deklaratë publike në të cilën tregohet që Radojicic është një individ që është sanksionuar nga Departamenti i Thesarit si rezultat i gjetjeve amerikane se ai është i lidhur me krimin trans-nacional.
Ambasadori amerikan ka thënë se kjo nënkupton që çdo llogari e Radojicic në Amerikë është bllokuar dhe se çdo kush që bën tregti me Radojicicin mund të jetë cak i pasojave të Departamentit të Thesarit.
“Unë s’mund të flasë për politika të brendshme me implikim. Mund të them se shpesh liderët politik në parlamente kanë biseda të rëndësishme me aktor opozitar për të arritur rezultate. Është e gjitha që mund të them. Sa i përket Milan Radojicicit, meqë e përmendet. Ai është sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit. Kemi pasur një qëndrim publik nga SHBA, që thotë se ky individ është dikush që ne e kemi sanksionuar, si rezultat i gjetjeve tona se ai është i lidhur me krimin trans-nacional. Ne besojmë që ai është i lidhur me krimin trans nacional, ai është sanksionuar. Dhe kjo nënkupton që çdo llogari bankare që ai ka në SHBA është e bllokuar dhe nënkupton që çdo kush që bën tregti me të mund të jetë potencialisht subjekt i pasojave të Departamentit të Thesarit gjithashtu”, ka thënë Hovenier.
Ai tutje ka thënë se Radojicic nuk është një person me të cilin kanë ndonjë raport, duke përmendur si shembull pritjen për pavarësinë e SHBA-së ku s’e kanë ftuar. Por Hovenier potencon se këto janë pasojat amerikane, dhe se i takon Qeverisë së Kosovës se si i vlerëson njerëzit për të cilët partnerët besojnë se janë të lidhur me krimin trans-nacional.
“Për SHBA-në ai nuk është një person që kemi ndonjë raport, së fundi s’ishte as në listën e të ftuarve për pritjen e pavarësisë për shembull. Por, këto janë pasojat nga ne. I takon Qeverisë së Kosovës të vlerësojë se si i trajton njerëzit që partnerët e saj besojnë se janë të lidhur me krimin trans-nacional”, ka përfunduar Hovenier.