Plani i sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ishte temë diskutimi në Bruksel mes kryenegociatorëve. Pas takimeve të gjata disa orësh me ndërmjetësuesin Miroslav Lajçak, përfaqësuesi i Kosovës, Besnik Bislimi u shpreh se kanë paraqitur shqetësimet karshi planit që ka prezantuar ndërmjetësi, pasi sipas tij është selektiv.

“Mendojmë që ai plan është selektiv dhe lë anash disa provizione të rëndësishme të Marrëveshjes bazë, në mënyrë të njëanshme i kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe nuk garanton zbatimin e plotë të marrëveshjes”- tha kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi. Zëvendëskryeministri shtoi se kërkesat e Kosovës ia ka paraqitur emisarit të Bashkimit Evropian

“Ne kemi kërkuar që të kemi qartësim të plotë në mënyrë që të respektohet kriteri i vënë nga Bashkimi Evropian që zbatimi duhet të jetë në mënyrë konsekuetive, Kosova bën diçka, Serbia bën diçka. Për çdo masë, për çdo veprim që kërkohet nga Kosova, ne kemi kërkuar të dimë cila është kundërpërgjigjja e Serbisë”- tha kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë.

Ndërkohë, sa i përket dështimit të një takimi trepalësh, udhëheqësi i ekipit të negociatave tha se BE-ja kërkon një takim të nivelit të lart.

“Ka qenë qëndrim i përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, në këtë moment takimi trepalësh jodomosdoshmërisht do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendojmë që ka nevojë ende për para koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje ka ide që plani i sekuencimit kërkon takim të nivelit të lart”- kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.

Zëvendëskryeministri Bislimi po ashtu u shpreh se mos shpallja e zgjedhjeve është marrë pretekst nga Bashkimi Evropian për të vënë sanksione, duke shtuar se tashmë ato duhen larguar meqë Kosova ka treguar rrugën se si do vazhdohet përpara.

Në takim është diskutuar edhe për komisionin e përbashkët për deklaratën për të pagjeturit dhe për komitetin për zbatimin e marrëveshjes bazë, që sipas Besnik Bislimit janë afër përfundimit.