Nga Mero Baze/
Në orët e vona të darkës, në një rrugë plot rrëmujë të Ksamilit, i cili tani nuk ngjan, as si qytet as si fshat, por si një kamping gjigand që ka hapur çdo derë dhe ka kthyer në restorant çdo trotuar, një turmë e madhe të huajsh prisnin në një vend që mendohej se ishte stacion autobusi. Prisnin të ktheheshin në Sarandë apo në ndonjë pikë gjatë rrugës për Sarandë. Në orën 22.30 ata kishin së paku gjysmë ore që prisnin.
Në fakt prisnin kot. Nuk kishte më autobusa urban, por disa djem kishin bërë xhentilin dhe herë pas here i luteshin një furgoni të vinte t’i merrte “se kishte punë”. Një skenë të ngjashme e shikon dhe në rrugët e Sarandës, në vendet ku ka tabela autobusësh. Nëse këtë situatë e zhvendos në Durrës, Golem dhe Kavajë është edhe më dramatike. Turizmi në Shqipëri nuk ka prekur kurrë majat të tilla. Statistikat e Korrikut mjaftojnë të përmbysin çdo shifër të çdo viti më të mirë, duke kthyer Shqipërinë në një destinacon ndërkombëtar të këtij viti. Dhjetëra shkrime në gazetat më të mira botërore rreth Shqipërisë, janë ndoshta marketingu më i fortë që i është bërë Shqipërisë në gjithë historinë e saj.
E di që shumë shqiptarë mërziten po tu thuash se këtu ka meritë dhe qeveria, stabiliteti financiar i vendit dhe ritmi i zhvillimit të tij, por më mirë të mërziten ata dhe Shqipëria të marrë frytet e miliona turistëve që kanë vërshuar drejt saj. Por vërshimi i tyre zakonisht të godet në pikën më të dobët. Dhe na e ka gjetur. Është transporti publik. Shqipëria ka ndoshta rrjetin më mizerje të transportit publik, i cili i përshtatet rutinës së përditshëme të 12 muajve dhe jo ndryshimit drastik të vendit për shkak të turistëve. Dhe ka tre probleme të rënda me transportin publik. Është i pamjaftueshëm me këtë fluks vizitorësh, është i parregullt me oraret dhe destinacionet duke qenë i paparashikueshëm dhe së treti është i padobishëm për shumicën e territoreve të plazhit.
Sarandë- Ksamil dhe kthim, me këtë fluks ka nevojë për dhjetra autobuzë, ndërsa destnacionet nga Rinasi dhe Tirana drejt plazheve kryere të vendit duhet të jenë të llogaritshme me orare fikse dhe të shtura për sezonin. Mijëra të rinj nga ai tip turisti eksplorues që vijën në vende si i yni, i shikon sot të rraskapitur në bregdetin e Jugut, dhe në zonat më elitare të tij, siç është riviera nga Palasa në Borsh, ku askush nuk ka ndonjë përgjigje nëse ka autobus, furgon, në çfarë orari e ka dhe akoma më keq se si mund të shkosh nga një shtëpi në Palasë apo Vuno, deri në bregdet, ku ke shans të flesh në një dhomë 40 euro dhe të paguash një taksi 30 euro për të shkuar në det.
Ekspertë që merren me turizmin, thonë se shumica e pyetjeve që bëjnë të huajt kur marrin shtëpi me qira në Airbnb apo booking, ka të bëjë me transportin publik dhe qasjen e shtëpisë me detin. Transporti publik është një problem i Shqipërisë edhe pa këtë fluks të jashtëzakonshëm turizmi, por me këtë bëhet gangrenë. Dhe kjo nuk është diçka që ndjejnë shqiptarët. Ata janë vetë mësuar me këtë sistem dhe bëjnë zgjidhjet e tyre duke hipur të gjithë në veturat e tyre për çdo punë dhe kur shkojnë të blejnë bukë.
Këtë e kupton tek shumica e plazheve të bukur, ato vendit që nuk kanë akses makine afër dhe ti shikon se popullohen vetëm nga të huajt, pasi ata janë të vetmit që janë të gatshëm që mund të ecin me këmbë drejt detit. Shqiptarët jo. Ndaj dhe nuk e ndjejnë aq shumë mungesën e transportit publik në plazhe. Ai shqiptar që nuk ka veturë, nuk ka as lek për të shkuar në plazh kështu që nuk del nga shtëpia. Problemi është tek miliona turistët që po vërshojnë në vend.
Nuk kam ndonjë recetë se si mund të zgjidhet tani në mes të skëterrës së këtij fluksi, por bashkitë bregdetare së paku me urgjencë duhet të qindfishojnë pikat e informimit dhe shenjat treguese se si mund të shkohet nga një plazh në tjetrin, nga hoteli në plazh, nga shtëpitë me qira në plazh etj. Dhe natyrisht tu kërkojnë linjave të licencuara që përveçse të shtojnë mjetet qoftë dhe të marra me qira përkohësisht të shtojnë frekuencat dhe oraret e zgajtura për punë. Nuk do zgjidhë gjithçka por do bëjnë diçka.
Por mbi të gjitha duhet të shtojnë informimin. Gjithkush duhet të dijë, nëse ka shpresë të vijë një autobus kur ti rri pret në stacion, apo jo. Dhe të bësh këtë kur je i huaj në një vend si Shqipëria, është dhe më dëshpëruese, ndërkohë që ke vendosur të vish për qejf në Shqipëri, pikërisht për shkak të marketingut marramendës falas që po na bën shtypi botëror. Me këtë rast ndoshta përfitojmë të gjithë nëse politikat e qeverisë ndaj transportit publik ndryshojnë rrënjësisht. Është tregu i turizmit që e dikton atë.