Fabio Cannavaro ka rënë dakord për t’u bërë trajneri i ri i Fatih Karagumruk në Superligën e Turqisë. Italiani ishte përmendur si një nga kandidatët kryesor për këtë rol gjatë 24 orëve të fundit, me Sky Sport që konfirmon marrëveshjen dhe pritet që zyrtarizimi të bëhet në orët në vijim.

Karriera e tij si trajner nuk ka qenë e qëndrueshme, pasi ka punuar në poste të ndryshme asistenti dhe drejtori në Al-Ahli, më pas u bë trajner i ekipit kinez Guangzhou Evergrande në vitin 2014. Cannavaro ka pasur eksperienca në Al-Nassr, Tianjin Quanjian, përsëri në Guangzhou Evergrande dhe pati dy ndeshje si menaxher i përkohshëm i ekipit kombëtar të Kinës.

Roli i tij i parë në Itali ishte në Serinë B për Benevento, por detyra zgjati vetëm 17 ndeshje para shkarkimit të tij në shkurt. Sa i përket Fatih Karagumruk, turqit kanë dëshirë të punësojnë trajner italianë pas Francesco Fariolit dhe Andrea Pirlos.