Kina ka rrethuar Tajvanin si asnjëherë më parë. Një rekord prej 16 luftanijesh janë verifikuar në ujërat përreth ishullit gjatë fundjavës. Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit e konsideron këtë rastin më të fundit të fushatës së madhe të Partisë Komuniste të Kinës për të frikësuar zyrtarët në Taipei.
Aktiviteti i Marinës së Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Pekinit pasoi stërvitjet në fillim të javës së kaluar ku u angazhuan 73 avionë luftarakë kinezë që fluturuan përtej vijës ndarëse të ngushticës së Tajvanit dhe në zonat kryesore të identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit.
Gjatë së njëjtës periudhë, nëntë anije kineze u raportuan në ujërat përreth Tajvanit për 3 ditë radhazi. Një analist tha për CNN se këto janë shenja të qarta se qeveria e Pekinit po përgatitet për një pushtim të mundshëm të ishullit.
Kina e pretendon Tajvanin si pjesë të territorit të saj, pavarësisht se asnjëherë nuk e ka kontrolluar atë. Ishulli, që vetëqeveriset me demokraci, prej vitesh ka kërkuar pavarësinë duke luftuar tentativat e shtetit komunist për ta izoluar nga pjesa tjetër e botës.
Megjithatë Kina nuk e ka përjashtuar asnjëherë përdorimin e forcës për të marrë kontrollin e Tajvanit. Një kërcënim të drejtpërdrejtë lidhur me një zhvillim të tillë e ka lëshuar edhe presidenti kinez, Xi Jinping.