Rrahman Rraja ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen nga mandati i deputetit në Kuvendin e Shqipërisë. Rraja dha dorëheqjen pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Krujë, kur vëllezërit dhe djali i tij, së bashku me anëtarë të tjerë të fisit, dhunuan barbarisht dy kushërinjtë Maja, pasi ishin ankuar për shpërthimet në guroren e Përparim Rrajës.

Në vend të tij, në radhët e socialistëve, pritet të ulet Arkend Balla. Ky i fundit, në zgjedhjet e 2021 mori 2463 vota preferenciale dhe kështu do të zërë vendin e Rrajës. Ndërkohë, Rraja kishte marrë 7759 vota preferenciale.

Dhuna për guroren

Anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth. Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bien pre e një dhunë barbare.

Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili kishte leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet, por pas ngjarjes gurorja u bllokua. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, policia ka lënë në burg 3 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.