Dinamo është gati për revolucionin e madh në futbollin shqiptar. Siç njoftoi dje Report TV, klubi me presidentin Ardian Bardhi do kenë bashkëpunim me Manchester City-n dhe do shtohen sponsorët, teksa ekipi do zhvendoset në Durrës, aty ku do ketë një pronë të vetën për ta zhvilluar.

Veç saj, Igli Tare do jetë pjesë e projektit për të modernizuar klubin. Në miqësoren e dy ditëve më parë në Korçë, barazuar 1-1 me Skënderbeun, ish-trajneri i Italisë U-21 Luigi di Biago ishte krah Tares duke mbajtur shënime. Të dy shokë fushe te Brescia, duket se Tare ka projektuar di Biagon për rolin e drejtorit sportiv, pse jo edhe të trajnerit.

Di Biagio ka qenë trajner i Italisë U-21 dhe së fundmi ka drejtuar SPAL-in deri në 2021. Ai ishte ndër emrat e përfolur edhe për stolin e Kombëtares kuqezi, teksa u pa të mbante shënime me detaje për lojën e Dinamos në miqësore. Nëse Dritan Mehmeti do vijojë të jetë pjesë e Bluve, kjo pritet të shihet pasi te Dinamo është duke “u gatuar” një ndryshim i madh, kjo duke nisur që nga emri “Dinamo City”.