Kryetari i PAA Agron Duka në emisionin “Kjo Javë” në News24 foli për situatën politike në vend, duke u ndalur edhe tek fushata e “Nismës Thurje” për të ndryshuar sistemin zgjedhor.
“Koha e duhur që ta fillojmë si lëvizje. Duke e konsumuar me njerëzit mund të arrijmë një produkt final”, tha ai.
Gjatë bisedës në studio me gazetaren Nisida Tufa, ai shtoi sistemi aktual zgjedhor është një sistem i kalbur dhe se lejon që të rrjedhë vota.
“Ne duhet ta themi si ide, dhe më pas të dalim në vende të tjera dhe në takime me qytetarë. Unë, Dash Shehi dhe Fatmir Mediu kemi bërë takime me deputetë të tjerë. Do të tentojmë të kemi përfaqësues të partive të mëdha. Njerëzit e duan këtë lëvizje dhe në fushatën zgjedhore që kaluam qytetarët kanë qenë të pakënaqur për listat e mbyllura. Ky sistem zgjedhor bën që të rrjedhë vota”, tha ndër të tjera ai.
Rikthimi i Bashës?
Agron Duka: Unë nuk kam tagrin të shprehem për Bashën sepse nuk kam lidhje me partinë e tij, por unë kam thënë që sapo ata kanë filluar ndasitë, ata nuk bashkohen më sepse ndarjet e tyre janë parimore. Shumë më mirë është të bëhen dy formacione dhe ka shumë më tepër mundësi.
Nëse këta do të ishin forca të ndara atëherë do të bënin një aleancë, dhe mund të kishin kandidaturë të përbashkët. Duhet të krijojnë një forcë politike, me Bashën apo pa Bashën për mua kjo nuk ka rëndësi. Ne jemi takuar me deputetë të Rithemelimit, tani mbetet të takohemi më kryetarë të partive.