TIRANË- Kanë mbërritur në presidencë kërkesat e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e Bledi Çucit dhe emërimin e Taulant Ballës në krye të Ministrisë së Brendshme.
“Referuar interesit tuaj mbi ardhjen në Institucionin e Presidentit të Republikës të propozimit për emërimin e z. Taulant Balla Ministër i Brendshëm, ju informoj që ky propozim sapo ka mbërritur”, thuhet në reagimin e presidencës.
Kryeministri Edi Rama vendosi të shkarkojë nga detyra Bledi Çuçin pas ngjarjes në Borizanë të Fushë-Krujës, ku anëtarë të fisit Rraja dhunuan me shkopinj dhe shkelma dy persona të tjerë dhe shkak u bë sherri për guroren.
Pas kësaj, shefi ekzekutiv ka propozuar emrin e Taulant Ballës për drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë, kreu i shtetit Bajram Begaj tashmë pritet të dekretojë emrin e dërguar nga Rama.