Ish-presidenti i SHBA, Bill Clinton ka reaguar nëpërmjet një postimi në “Twitter” për vizitën dy ditore në Tiranë.
Clinton falënderon kryeministrin Edi Rama dhe popullin e Shqipërisë që i dhuruan një mbrëmje që nuk do ta harrojë kurrë.
Ish-presidenti po ashtu shkruan se ka qenë nder për të që të punojë me Shqipërinë për kaq shumë vite për të forcuar lidhjet e miqësisë mes vendeve dhe për për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë.
“Faleminderit nga zemra Kryeministrit @ediramaal dhe popullit të Shqipërisë për një mbrëmje që nuk do ta harroj kurrë. Ka qenë nderi im të punoj me ju për kaq shumë vite për të forcuar lidhjet e miqësisë midis vendeve tona dhe për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë“, shkruan Clinton.
Clinton mbërriti në Rinas ditën e djeshme rreth orës 15:30 me një avion Charter, aty ku e priste kryeministri Edi Rama.
Më pas Ish-presidenti dhe Rama zhvilluan një takim të ngushtë, për të shkuar më pas në godinën e kryeministrisë për një mbledhje rreth 20 minuta, para se të dilte në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për nisjen e ceremonisë festive.
Në ceremoni ishin të pranishëm figura të njohura dhe qytetarë të thjeshtë të vendit. Në fund ish-presidenti Clinton u dekorua me “Yllin e Mirënjohjes Publike” nga kryeministri Rama.