Para pak ditëve, në një intervistë me Gary Neville, ish-futbollisti i Tottenham, Dele Alli foli hapur në lidhje me traumat e tij të fëmijërisë. Lojtari që është pjesë e Everton aktualisht, u shpreh se ishte abuzuar seksualisht në moshën gjashtëvjeçare dhe se në moshën shtatëvjeçare kishte nisur duhanin ndërsa në moshën tetëvjeçare shpërndante drogë.
Sipas Dele Alli, mamaja e tij e dërgoi në Afrikë te babai i tij që ta mësonte me disiplinën ndërsa shtoi se jeta e tij ndryshoi vetëm në momentin kur u adoptua në moshën 12-vjeçare.
Por, të gjitha këto histori së fundmi i hedh poshtë një i afërm i Dele Alli që nuk e zbulon identitetin dhe në një intervistë për “OJBSPORT”, thekson se lojtari nuk ka qenë kurrë i adoptuar ndërsa shtoi se atij i është bërë “shpëlarje truri”.
“Dele nuk ka qenë kurrë i adoptuar, në moshën shtatëvjeçare ai ka qenë pjesë e një prej shkollave më të mira në Lagos të Nigerisë. Nuk është aspak e vërtetë që e dërguan në Afrikë për ta mësuar me disiplinën, është një gënjeshtër e shëmtuar. Ai madje ka pasur edhe një shofer personal që e shoqëronte gjatë gjithë ditës.
Kemi dokumenta dhe fotografi me babain e tij, nuk i kuptoj këto deklarata të Dele. Më duket sikur i kanë bërë “shpëlarje truri”. Babai i tij ka punuar shumë që Dele të jetë personi që është sot, askush nuk e dërgoi atë në Nigeri si një ndëshkim. Ai thotë se në moshën tetëvjeçare shpërndante drogë, por në atë periudhë ai ishte në një shkollë private”, tha një person nga familja e Dele Alli.