14 Korrik, Tiranë- Në Forumin Shkencor për Programin e Kontrollit Mjekësor Bazë dhe impaktin e tij në parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, me pjesëmarrjen e ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, mjekë të QSUT dhe përfaqësues të Universitetit të Mjekësisë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka vënë theksin në përfitimet shëndetësore dhe ekonomike që ka sjellë Programi i Kontrollit Mjekësor Bazë.
“Dua të ndalem tek përfitimet e përllogaritura nga ekspertët sa i përket atyre që ne i konsiderojmë vite të shëndetshme të jetës, të cilat përkthehen në fakt në më shumë produktivitet dhe ne duam të shmangim sëmundshmërinë, sepse e dimë që sëmundshmëria në rastet kur agravohet çon në paaftësi, në reduktimin e viteve të shëndetshme të jetës, çon në më pak produktivitet, më pak aktivizim në jetën sociale, familjare, shoqërore, por edhe në më pak kontribut në ekonominë e vendit. Nëse do të bëhej një përllogartje, ashtu sikurse ekspertët kanë evidentuar, vetëm nga Kontrolli Mjekësor Bazë i kthehet mbrapsh ekonomisë së vendit të paktën 5 milion dollarë në vit, në sajë të një evidentimi të hershëm të problematikave shëndetësore, kostoja e të cilave, nëse nuk evidentohet dhe nëse nuk investohej, do të ishte shumë më e madhe në vitet në vazhdim. Kostot spitalore, kostot e ndërhyrjeve për sëmundje të tilla, janë dhe llogariten shumë herë, shumfish më të larta se ato në programet e parandalimit”,- tha Manastirliu.
Gjatë këtij forumi shkencor, Ministrja Manastirliu bëri me dije se nga programi i Kontrollit Mjekësor Bazë, ka nje rritje të personave të diagnostikuar hershëm për sëmundjet e diabetit dhe hipertensionit.
“Ky program ka patur impakt të qendrueshëm në rritjen e diagnostikimit të hershëm për sëmundje që konsiderohen të fshehta ,si, diabeti dhe hipertensioni, për të cilat, në vitet e implementimit të këtij programi, ajo çfarë është evidentuar është se, kemi patur një rritje me 35% të diagnostikimit për sëmundjen e diabetiti, përfshirë këtu edhe pre-diabetin dhe gjithashtu 12% më shumë të evidentuar në kohë për sëmundjen që ka lidhje me hipertensionin”,- tha Manastirliu.
Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik, Prof. Alban Ylli, ka nënvizuar gjatë prezantimit të studimit, se, Programi i Kontrollit Mjekësor Bazë, ka kontribuar në rritjen e viteve të jetës dhe uljen e qëndrueshme çdo vit të vdekshmërisë nga hipertensioni, diabeti, goditjet cerebrale dhe semundjet ishemike të zemrës.
“Për të gjithë periudhën në studim, janë 5200 vite jete të përfituara, gjysma e të cilave, i dedikohet check-up, pikërisht bazuar në analizën që bëmë, sepse ndërhyrja më e madhe në këtë periudhë ka qenë në kujdesin parësor, nëpërmjet programit të Kontrollit Mjekësor Bazë”,- tha prof. Alban Ylli.
Shefi i Shërbimi të Endokrinologjisë në QSUT, Prof. Agron Ylli, ka theksuar se në vitet e fundit, ka një rritje të rasteve të identifikimit të hershëm për të sëmurët me diabet.
“Me anë të Kontrollit Mjekësor Bazë kapëm rreth 4.5% të popullatës që nuk e dinin që kishin diabet dhe po të shohësh shifrat sot, Shqipëria është 10% e popullatës me diabet”,- tha Prof. Agron Ylli.
Sipas të dhënave të fundit, Programi i Kontrollit Mjekësor Bazë ka rritur aksesin në shërbime, duke u shtrirë edhe në zonat e thella rurale, ku janë 54% e përfituesve të këtij programi. Nga ky program kombëtar përfiton e gjithë grupmosha nga 35-70 vjeç, që janë afro 1.2 milion qytetarë.
Programi i Kontrollit Bazë Shëndetësor po e ndihmon Shqipërinë të arrijë objektivat lidhur me uljen e vdekshmërisë së parakohshme nga sëmundjet jo të trasmetueshme. Sipas të dhënave të studimit të kryer, vdekshmëria nga hipertensioni dhe diabeti për grup moshën 30-69 vjeç, ka një rënie mesatare vjetore përkatësisht prej 12% dhe 7%. Gjithashtu vdekshmëria nga aksidentet cerebrovaskulare dhe sëmundjet ishemike të zemrës, ka një rënie mesatare vjetore 5% dhe 3% respektivisht.
Home Lajme Aktualitet Forum Shkencor për impaktin e Programit të Kontrollit Mjekësor Bazë, Manastirliu: Rriten...