Vitjon Nina
Me rikthimin aktiv në jetën politike (të paktën atë të Partisë Demokratike), shumë zëra u ngritën se Lulzim Basha po kërkon të rimarrë pushtetin e madh brenda të djathtës shqiptare.
E vërtetë është diçka e tillë në fakt dhe u vërtetua në çastin kur ai e shpalli zyrtarisht kandidaturën dhe më 29 korrik, do të garojë përballë Gjergj Hanit.
Fushata brenda-partiake e të dy të angazhuarve në garë, ka filluar.
Veçse ajo e Bashës, nuk nuhatet shumë si betejë për postin e lartë në PD – të jemi të sinqertë është thjesht formalitet – sa për projektimin e tij për një garë me kryeministrin e vendit, Edi Rama.
Mjafton të ndjekësh atë çfarë Basha po u premton demokratëve në fushatë, për të kuptuar synimin.
Ai nuk flet për riorganizimin e brendshëm të PD-së, për një ribashkim të mundshëm me palën e Sali Berishës, apo për çfarë plani ka për të puqur në një mendimet brenda forcës.
Edhe nëse flet për to, e bën shumë pak këtë gjë.
Ai ka katër kolona të shëndosha në majën e listës së vet të “fushatës” dhe kërkon të zhbëjë një marrëveshje të arritur nga paraardhësi i tij, Berisha, në bashkëpunim me Ramën, në vitin 2008.
Lista të hapura, veting i politikanëve, vota e diasporës dhe kufizimi i mandateve.
Këto janë pikat ku Basha ngre tezën, e asaj që e quan Aleancë Qytetare për Demokracinë (ka përgatitur edhe sloganin për zgjedhjet 2025 duket).
Këtë, ai e ka etiketuar si një përcaktim koalicioni, jo partiak por me qytetarët duhet theksuar, për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet kushtetuese, të cilat do të zhbëjnë ato të vitit 2008 dhe që lidhen me katër pikat e përmendura.
Vetë Basha e gëzon fuqinë e votës si deputet, por aktualisht ai nuk gëzon një mbështetje të gjerë në rangun e deputetëve demokratë në Parlamentin e Shqipërisë, për të mos llogaritur më tej edhe votat e shumicës që ka mazhoranca.
Kjo e fundit, me rehatinë e gjetur në dy palët e fundit të zgjedhjeve kur ka fituar si e vetme, vështirë është të bëjë lëshime për të kryer riformatime kaq madhore të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.
Megjithatë, sërish, çështja nuk është sa do e arrijë, por çfarë po kërkon të bëjë, dhe motoja e Bashës në fushatën e brendshme demokrate, është ajo e të sjellit të një modeli tjetër të politikbërjes në vend.
Këtë, vetes, nuk ia njeh si të drejtë, por si përgjegjësi dhe përgjegjësi e ndjen edhe kthimin e PD-së sërish në një alternativë qeverisëse shqiptare…me atë vetë kryeministër.