Segmenti i dytë i aksit Palasë-Dhërmi do të jetë gati për qarkullimin e makinave brenda pak ditësh. Lajmin e ndau zv/kryeministrja Belinda Balluku gjatë inspektimit të punimeve në terren.

“Do vetëm pak ditë për t’u përfunduar totalisht. Vazhdojmë akoma disa punë. Këtu punohet me ritme të shpejta pasi ne duam që ta hapim gjatë këtij sezoni”, tha Balluku.

Ky segment 2 kilometra i gjatë sipas Ballukut është një vlerë e shtuar për banorët e zone, por në mënyrë të veçantë lehtëson lëvizjen e pushuesve gjatë sezonit veror.

“Kjo vepër i jep një vlerë tjetër të gjithë bregdetit, me një rrugë e cila shkurton të gjitha ato kthesa pas tunelit, lidhet menjëherë këtu me Palasë-Dhërmiun për të dalë më pas në të gjitha zonat që ata dëshirojnë të zbresin.”

Bashkë me segmentin e parë, aksi Palasë-Dhërmi ka një gjatësi prej 4.5 kilometrash.