U zhvillua dje ceremonia e diplomimit të maturantëve në qytetin e Elbasanit. Të pranishëm ishin dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, kryebashkiaku Gledian Llatja, deputetë, mësues dhe prindër.
Gjiknuri që është dhe drejtues politik i qarkut u shpreh se edukimi i brezit të sotëm është përcaktues për të ardhmen e vendit. “Një mësues e tha shumë bukur: ju bëni krenarë veten tuaj, prindërit tuaj dhe mësuesit tuaj. Në fakt kjo është një ditë që i vlen të treve. Dhe është një ditë e mrekullueshme sepse 18 -vjeç, tani po flas nga eksperienca ime si prind, është një udhëtim i bukur por 18-vjeç fillon ajo që quhet pjekuria, fillon udhëtimi i vërtetë në jetë. Kjo kohë që është shumë formative për ju që keni krijuar shoqëri shumë të mira me njëri – tjetrin. Udhëtimi që fillon tashmë është udhëtim i bukur, i vështirë por patjetër ka kënaqësi të veçanta. Për ju fillon rrugëtimi për të “zbuluar” “botën e re”. Si do jetë kjo “botë” asnjë nuk do ua pikturojë të ardhmen, të ardhmen duhet ta ndërtoni vetë”, deklaroi ai.
Gjiknuri nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve dhe të rejave në kauza të mira shoqërore.
“Një këshillë kam, lëreni çfarë u thotë njëri apo tjetri, ndiqni instiktin, shpirtin dhe zemrën tuaj.
Kush ndjek pasionin e tij do ta pikturojë shumë bukur të ardhmen, mjafton që ai pasion të jetë për gjëra të mira. Jam i bindur se duke u përfshirë në kauza të mira shoqërore, duke qenë personalitete të thjeshta dhe njerëzorë mbi të gjitha. Unë besoj më shumë te personaliteti i njeriut sesa te nota.
Shijojeni këtë udhëtim. Nuk ka rëndësi destinacioni e rëndësishme është të shijoni udhëtimin me çfarëdo lloj eksperience që do t’ju sjellë jeta”, tha Gjiknuri.