Damian Gjiknuri iu përgjigj interesimit të gazetarëve në lidhje me çështjen e inceneratorëve. Deputeti socialist i cilësoi politike akuzat e hedhura nga opozita në drejtim të tij.

Ai theksoi se ka zbatuar vetëm ligjin.
“Unë jam mësuar me akuza. Nuk është hera e parë që unë jam akuzuar, fatkeqësisht ndoshta dhe për shkak të personalitetit tim deri diku të fortë, përballjes sime politike si në opozitë ashtu dhe në pushtet. Dhe për pozicionet që kam pasur, pozicione kyçe. Unë jam akuzuar gjithmonë. Ju e mbani mend që akuzohesha për 600 mln të CEZ sikur i kish vjedhur e histori të tjera si këto. Çështja u gjykua deri në Gjykatën e Lartë ku unë bashkëpunova me drejtësinë dhe e vërteta doli ditën për diell.

Nga ana tjetër nuk është hera e parë që akuzoheshim për akuza politike, qoftë për zgjedhje, qoftë për autoritetin në ushtrimin e detyrës. Por ka vetëm një drejtësi që i gjykon dhe i vlerëson këto gjëra. Jo thjesht opinioni publik i krijuar nga vatra të ndrysmë politike. Kuptohet diversiteti politik. Akuzat politike është e përhapur shumë. Ka vetëm një drejtësi dhe ligji dhe organet e drejtësisë do të flasin të vërtetën. Sa i përket hetimit, të them të drejtën ky hetim ka vite që ka filluar, Ju e dini që dosjen e inceneratorëve ka mbi dy vjet e ca që ka filluar. Nuk më kanë thërritur ndonjëherë. Në çdo moment që do më thërrasin natyrshëm do të jap shpjegim. e kam shpjeguar dhe e keni parë, roli i ministrit të Energjisë ka qenë shumë periferik, nuk ka pasur asnjë kompetencë direkte”, tha Gjiknuri.