Nxehtë, thatësi dhe erë: një kombinim fatal se çdo shkëndijë mund të shkaktojë një zjarr të ri. 220 zjarrfikës nga vende të tjera të BE-së janë nisur drejt Greqisë për të ndihmuar.
Zjarrfikësit në Greqi po luftojnë me tri fronte të mëdha zjarri për të tretën ditë radhazi. Zjarrfikësit nuk mund ta ulin ende nivelin e alarmit për pyjet e përfshira nga zjarret në perëndim të Athinës. Pesë avionë zjarrfikës dhe tetë helikopterë zjarrfikës janë duke operuar në përdorim në rajon që nga mëngjesi. Erërat e forta i vështirësojnë operacionet.
Në ishullin grek të Rodosit, u evakuuan për shkak të një zjarri të madh tre fshatra dhe një hotel. Sipas zjarrfikësve bëhet fjalë për fshatrat Eleousa, Salakou dhe Dimilia, që gjenden në qendër të ishullit, ku prej ditësh po digjet një pyll i madh. Sipas brigadës së zjarrfikësve katër avionë zjarrfikës dhe tre helikopterë janë nisur në një front tjetër zjarri pranë zonës kurative të Lutrakit.
Komanda e zjarrfikëseve raportoi për 47 zjarre që kanë shpërthyer në 24 orët e fundit. Gjithësesi shumica e tyre u shuan shpejt dhe lehtë.
Metereologët paralajmërojnë
Meteorologu grek Theodoros Giannaros nga Observatori Kombëtar i Athinës paralajmëroi se situata në Greqi mund të përkeqësohet prej vapës, thatësirës dhe zjarreve. Ai tha se po i kujtohen kushtet klimatike të vitit 2021, kur në Greqi u dogjën dhjetëra-mijëra hektarë pyje dhe bimësi, tha Giannaros duke shtuar : “Më e keqja nuk ka ardhur ende”.
Nga e enjtja do të ketë një tjetër valë të nxehti që do të arrijë kulmin në fundjavë duke shkaktuar vende-vende temperatura deri në 44 gradë. Rënia e valës së të nxehtit që pritet të hënën e ardhshme do të shoqërohet sërish me erëra të forta, një kombinim fatal të nxehti, thatësire dhe ere.
Çdo shkëndijë mund të shkaktojë një zjarr të madh, sepse erërat u japin hov prushit dhe flakëve dhe i shtyjnë shkëndijat në distanca të gjata, duke shkaktuar kështu burime të reja zjarri.
Ministri i Mbrojtjes Civile Vasilis Kikillas i bëri thirrje popullësisë që të jetë jashtëzakonisht vigjilente. Sipas zëdhënësit të zjarrfikësve rreziku është shumë i lartë mbi të gjitha në rajonin përreth Athinës, në Atikë, në ishullin e Kretës dhe në gadishullin e Peloponezit./DW