Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u lirua sot nga spitali, pas shtrimit të djeshëm ndërsa mjekët thanë se ai është në gjendje të mirë shëndetësore. Netanyahu, 73 vjeç, u dërgua dje në spitalin Sheba në Tel Hasomer, pranë rezidencës së tij private në qytetin bregdetar të Cezaresë dhe qëndroi atje gjatë natës për vëzhgim.

“Dje kalova kohë me gruan time në plazh, nën diell, pa kapele dhe pa ujë. Një vendim jo i zgjuar nga ana ime. Fillimisht dua të shpreh falenderim për shqetësimin tuaj dhe gjithashtu skuadrën e “Sheba Medical Center” që më ekzaminuan. Gjithashtu kam një kërkesë për të gjithë ju. Aktualisht jemi përfshirë në një valë të nxehti në të gjithë vendin. Ju inkurajoj që të minimizoni ekspozimin tuaj në diell, qëndroni të hidratuar me ujë dhe lëngje. Ju uroj një javë të mbarë,”-tha ai nëpërmjet një videomesazhi.

Autokolona e tij u pa duke u larguar nga Sheba me mediat izraelite duke cituar një njoftim nga zyra e kryeministrit për shkarkimin.

Sot, autoritetet e spitalit Sheba konfirmuan diagnozën fillestare të dehidrimit dhe shtuan se testet shtesë, në fund arritën në përfundimin se gjendja kardiake e Netanyahut është e mirë. Zyra e tij njoftoi gjithashtu se mbledhja javore e kabinetit që zakonisht mblidhet të dielën është shtyrë për nesër, të hënën.