Renis Nushaj u largua nga Shqipëria në gusht të 1997-ës dhe është avokat dhe prokuror në Detroit të SHBA-së. Nushaj ishte sot në rubrikën “Jeta ime” të emisionit “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv, ku foli për jetën në Tiranë, gjimnazin te Petro Nini Luarasi, largimin nga Shqipëria në një vit të tmerrshëm për shqiptarët, shkollimin në SHBA, vazhdimin e universitetit për histori dhe shkenca politike, punën në Senatin Amerikan dhe më pas ndjekjen e juridikut. Menjëherë pas përfundimit të juridikut, Nushaj nisi punë si avokat dhe prokuror në Detroit dhe sot ka studion e tij ligjore, me 12 avokatë, që trajton problemet e shumta të shqiptarëve, por edhe njerëzve me kombësi të tjera. Prokurori tregon për gazetaren Xhunga problemet ligjore më të shumta të shqiptarëve që jetojnë në SHBA, nga ato kriminale, te çështjet për biznesin. Por rastet më të shumta thotë prokurori, janë divorcet që janë shtuar vitet e fundit.
“Unë kam një studio ligjore që merremi me problemet e shqiptarëve dhe jo vetëm. Problemet kryesore të shqiptarëve, kryesisht ato që ka trajtuar zyra jonë, janë ato kriminale, apo problemet e bizneseve të vogla, pra probleme kontratash dhe e treta janë divorcet. Me kalimin e viteve, divorcet janë rritur shumë, ne krahasim me të tjerat.
Kur kam ndjekur juridikun, në klasën e ligjit familjar unë kam fjetur, sepse mendoja shqiptarët nuk divorcohen, ishte mentaliteti që isha rritur unë, sepse nuk kisha dëgjuar për shqiptarë që divorcohen. Unë e mora me të lehtë. Por në fund kur dola në praktikë, edhe sot me ketë çështje po merrem më shumë. Por edhe me shqiptarët që duan të qëndrojnë në SHBA. Dy në tre biseda që bëj gjatë javës me klientët e mi, janë në lidhje me dikë që ka ardhur me vizë dhe pyet nëse ka ndonjë mundësi që të rrinë në SHBA. Kjo është interesante, por edhe e trishtë në të njëjtën kohë. Janë shtuar tejmase ata që lënë Shqipërinë dhe duan të jetojnë përgjithmonë në SHBA. Ka një problem që i nxit shqiptarët që të lënë vendin dhe të vijnë në SHBA. Ka të bëjë edhe aspekti ekonomik, por ndonjëherë flasin edhe për sigurinë e jetesës, në lidhje me jetëgjatësinë dhe gjithë shërbimet që kërkon një individ gjatë gjithë jetës, shëndet, arsim, mundësi për vetë, fëmijët, pra për familjen. Aftësinë për t’u ngritur nga niveli ku janë, në një nivel më lart. Të gjitha këto bëhen bashkë. Shqipëria do ketë gjithmonë probleme se është një vend i vogël, detyrimisht mundësitë ekonomike do jenë të limituara, mundësia për të përparuar do jetë e limituar. Ndaj edhe hapat që hedhim, shpesh i hedhim përtej vetvetes, përtej kufijve të Shqipërisë apo Kosovës. Kur i hedhim ato hapa aq larg, për shembull ne që ikëm në Amerikë, janë hapa të vështirë sepse nuk kthehen dot më. Kthimi bëhet shumë i komplikuar, sepse kemi bërë shumë sakrifica, janë bërë shumë investime për të jetuar në Amerikë. Katërvjeçarin e parë kur shkojmë në Amerikë të gjithë përjetojmë të njëjtën ëndërr ose realitet, pra themi do rri sa të mbaroj shkollën dhe do kthehem në Atdhe. Nuk ndodh kështu. Shtohet edhe një katërvjeçar tjetër dhe një tjetër, derisa zbehet ëndrra sepse hyn në mes realiteti i jetës.”, u shpreh prokurori.
Renis Nushaj tanimë është pjesë edhe e politikës amerikane. Ai është i përfshirë në Partinë Demokratike Amerikane dhe thotë se do ta vazhdojë karrierën politike që ka nisur.
“Unë jam pjesë e politikës amerikane. Jam i përfshirë në Partinë Demokratike Amerikane, në zonën e Detroit. Politika në Amerikë, është lokale, vendore, hyn te njësitë më të vogla. Dhe ne dashur pa dashur merremi në mënyrë individuale. Kur vjen koha e fushatave ne shkojmë derë më derë dhe takojmë të gjithë njerëzit, pra e marrim votën në mënyrë individuale. Kemi listat tona të votuesve. Dhe ne i dimë kush janë votuesit tanë. Në një sistem ne shohim edhe bindjen e votuesit, nëse është republikan apo demokrat, kjo me bazë përqindjeje që të nxjerr sistemi. Ne ndjekim përqindjet dhe në bazë të tyre trokasim në dyer. Investimi në politikë duhet të jetë total dhe unë do t’i i përkushtohem totalisht karrierës time politike.”, u shpreh Nushaj ndër të tjera.