“Më kanë vjedhur paratë në shtëpi, jam i bindur se i ka marrë djali”, ky i ishte denoncimi i një 45-vjeçari në Komisariatin nr. 6 në Tiranë.
Mbi dyshimet e babait, policia shoqëroi për ta marrë në pyetje Renis Ukun, 18 vjeç.
Fillimisht, para hetuesve i riu nuk pranoi se kishte marrë paratë në shtëpinë e tij, por shumë shpejt zbardhi çdo gjë.
Shumën prej 104 mijë lekëve ai u tha hetuesve se e kishte fshehur te shtëpia e komshiut, në një vend të fshehtë, pa dijenin e tij.
Agjentët e policisë e gjetën vendin dhe brenda tij edhe paratë, të paprekura, siç i vodhi në shtëpinë e tij. 18-vjeçari u tha hetuesve se ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe herë pas here luante edhe bixhoz, çfarë e detyronte që të vidhte në shtëpinë e tij.
Por, Uku nuk ka vjedhur vetëm në familje, ai rezulton hajdut edhe në raste të tjera në Tiranë dhe Durrës.
Para hetuesve ka pranuar se ka vjedhur në shtëpi të tjera, çfarë i dilte përpara, sende me vlerë dhe kryesisht para.
Hetuesit po punojnë për të dokumentuar të plotë të gjithë veprimtarinë kriminale edhe me rastet e tjera që kanë mbetur të pazbardhura të thyerjeve të banesave.