Mes një morie opsionesh me variantet e tyre të propozuara nga Uefa për ndryshimin e kampionatit, SuperSport mëson dhe opsionin për të cilin klubet kanë rënë dakord, e madje dhe detajet organizative, apo dhe përfitimet e pritshme ekonomike. Bëhet fjalë për variantin 5 të opsionit të parë: Pas 36 javëve kampionat, 4 skuadrat e para në renditje, do të zhvillojnë një mini turne, të tipit Final Four mes tyre, ku do përballen 2 herë me njëra-tjetrën, por jo me sistemin vajtje-ardhje, pasi të gjitha takimet do të luhen në Air Albania. Bëhet fjalë për një minikampionat me 12 takime gjithsej që do të luhen në harkun kohor të diçka më pak se dy javëve, dhe renditja e të cilit do të përcaktojë titullin kampion, si dhe skuadrat që shkojnë në Europë, duke nisur nga vendi i parë që luan në Champions dhe ndjekësit në Conference League.

PO KAMPIONATI I RREGULLT PËR ÇFARË VLEN?

Dikush mund të pyesë, atëherë çfarë rëndësie ka vendi i parë në kampionatin e rregullt? Benefitet janë dy: Së pari, skuadra që kryeson kampionatin në 36 javë ka avantazhin se në rast të përfundimit të FINAL FOUR me pikë të barabarta me një skuadër tjetër, atëherë do të jetë ajo që do të klasifikohet më sipër. Së dyti, skuadra që renditet e para pas 36 javëve do të jetë ajo që do të marrë dhe bonusin financiar të akorduar nga FSHF prej 100 milionë lekësh, pavarësisht se si shkojnë gjërat në Final Four.

PËRSE AIR ALBANIA?

Final Four do të jetë një mini turne mjaft tërheqës me 4 skuadrat më të mirë, imagjinoni një minikampionat brenda dy javësh mes Partizanit, Tiranës, apo dhe emrave si Dinamo, Vllaznia e të tjerë me nga dy ndeshje mes tyre. Përse të gjitha ndeshjet në Air Albania dhe jo me sistem vajtje-ardhje në stadiumet respektive. Përgjigjja edhe këtu është e thjeshtë, sepse impianti kombëtar në sajë të komoditetit garanton edhe numrin më të madh të spektatorëve, përllogaritet një mesatare prej rreth 14 mijë për ndeshje, por edhe çmime më favorizuese të biletave.

FITIME REKORD

Nga përllogaritjet e ekspertëve, pritet që që në vitin e parë vetëm nga Final Four të gjenerohen rreth 1 miliardë lekë të ardhura. 12 ndeshje me një mesatare të kënaqshme në Air Albania, dhe përveç biletave edhe një pjesë e konsiderueshme nga e drejta televizive, apo marketingu! Burime të besueshme bëjnë të ditur se një shumë e tillë përllogaritet vetëm në vitin e parë , pasi në të ardhmen ato do të rriten ndjeshëm.

SI DO TË NDAHEN FITIMET?

Shuma e përfituar do të jetë padyshim një bonus i madh për klubet e superiores. Parashikohet që 60-70% e saj të shpërndahet për 4 ekipet pjesëmarrëse, natyrisht në bazë të renditjes në këtë minikampionat, me një zbritje graduale për çdo vend, ndërkohë që 30-40% e kësaj shumë do të shpërndahet për 6 ekipet e tjera të kampionatit të rregullt në formën e një lloj bonusi solidariteti.

KUSHTËZIMI I FSHF

Pra ndryshimi i skemës është një mundësi e artë për të gjeneruar më shumë të ardhura për klubet, por edhe i kushtëzuar. Kjo për faktin se në mungesë të realizimit të premtimeve si Ligji i ri për Sponsorizimet, apo me një mungesë totale të ndihmës ekonomike nga ana e shtetit, futbollit shqiptar i duhet të gjejë rrugët për të gjeneruar të ardhurat aq të nevojshme, për ekzistencën e klubeve dhe zhvillimin e tij.