Herri Meguajër tashmë nuk është më kapiteni i Mançester Junajtid. Vendimi i është komunikuar atij nga trajneri Erik Ten Hag, i cili pasi e ka kthyer në një lojtar stoli mbrojtësin, ka vendosur që të mos jetë më ai personi që do të mbajë shiritin në krah.
Konfirmimin e ka dhënë vetë Meguajër, i cili me një postim në Twitter ka zbuluar vendimin që i është komunikuar, i cili për shumëkënd është mesazhi më i qartë që Mançester Junajtid i ka dhënë mbrojtësit për të kërkuar një sistemim tjetër.
“Pas bisedimeve me trajnerin sot, ai më informoi se do të ndërrojë kapiten. Ai më tregoi arsyet e tij mua dhe ndonëse jam personalisht jashtëzakonisht i zhgënjyer, unë do të vazhdoj të jap gjithçka sa herë që vesh këtë fanellë. Ndaj dua t’iu jap një falënderim shumë të madh tifozëve të Mançester Junajtid për mbështetjen e tyre të shkëlqyer në periudhën kur unë kam mbajtur shiritin”, shkruante mbrojtësi anglez.
“Unë kam bërë çdo gjë që mundesha që të ndihmoja Junajtid që të ishte i suksesshëm, në fushën e lojës dhe jashtë saj. Unë do t’i jem gjithmonë mirënjohës Ole Gunar Solskjaer i cili më dha i pari përgjegjësinë dhe uroj që kushdo që ta mbajë tani, të kalojë çdo sukses dhe do të ketë mbështetjen time të plotë”, u shpreh Meguajër.
Sipas mediave britanike, Bruno Fernandes pritet të jetë kapiteni i parë i Mançester Junajtid në sezonin e ri.