David Silva pritet t’i japë fund karrierës me futbollin e luajtur. Mesfushori i Real Sociedad dëmtoi ligamentin në stërvitjen parasezonale dhe do të jetë jashtë fushës për një kohë të gjatë, teksa 37-vjeçari me sa duket ka vendosur që të “varë këpucët në gozhdë”.
Ai është produkt i të rinjve të Valencias, ku bëri 168 paraqitje, kontribuoi me 32 gola dhe 36 asistime dhe fitoi Kupën e Mbretit të Spanjës në 2008. Në verën e vitit 2010 ai u transferua te Manchester City, ku u bë një legjendë e vërtetë e klubit.
Silva grumbulloi 436 paraqitje, kontribuoi me 77 gola dhe 140 asistime dhe fitoi 14 trofe, ndër to katër herë kampion i Premier League. Pas dhjetë vitesh te City, ai vendosi të kthehej në Spanjë dhe forcoi Real Sociedad, teksa udhëhoqi ekipin në Ligën e Kampionëve për herë të parë në një dekadë.