Asambleja serbe votoi sot për shkarkimin e ministrit të Ekonomisë, Radeta Basta gjatë seancës së sotme.

Si ministër në qeverinë serbe, Basta ka kërkuar për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke deklaruar se Serbia po paguan çmim të lartë duke mos vendosur sanksione ndaj Moskës.
Serbia është një nga shtetet e pakta në Evropë që ende nuk ka sanksionuar Rusinë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Në fund të qershorit, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, i propozoi Parlamentit që të shkarkojë ministrin.
Basta u zgjodh ministër i Ekonomisë si pjesëtar i koalicionit të Partisë Socialiste të Serbisë, lideri i të cilës është ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç. Në këtë koalicion bën pjesë edhe partia Serbia e Bashkuar.

Më 20 qershor, Basta njoftoi se kishte regjistruar lëvizjen Rruga Evropiane (PEP) dhe tha se shumë shpejt kjo lëvizje do të shndërrohej në parti dhe do të garonte në zgjedhjet në të gjitha nivelet. Po të njëjtën ditë, lideri i Serbisë së Bashkuar, Dragan Markoviç Palma tha se Bastës i është dhënë një afat që të japë dorëheqje nga të gjitha pozitat partiake.